Bashkëpunimi rajonal përballë sfidave që sjellin ndryshimet klimatike mbetet një faktor vendimtar për avancimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian.
Në konferencën për klimën të zhvilluar në Tiranë, zëvendëskryeministrja Albana Koçiu tha se vendet e rajonit kanë avancuar në hartimin e strategjive dhe politikave për ndryshimet klimatike, por nevojitet zbatimi konkret i tyre në terren.
Koçiu tha se financimi për çështjet e klimës nuk është bamirësi, por investim për sigurinë e përbashkët.
Investimet në sistemet e paralajmërimit të hershëm për fenomenet klimatike, mbrojtjen civile dhe inovacionin janë një domosdoshmëri.
Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber, vuri theksin te bashkëpunimi rajonal në fushën e klimës si një domosdoshmëri drejt integrimit evropian.
“Vendet e Ballkanit Perëndimor janë në rrugën e tyre drejt aderimit në Bashkimin Evropian, dhe ndryshimet klimatike sjellin nevojën për bashkëpunim rajonal. Nevojiten institucione të mirëorganizuara dhe rritje të ndërgjegjësimit për adresimin e çështjeve të klimës”, tha ambasadorja.
