E mërkurë, 06 Maj 2026
Lajme

Specialja e arsyeton kohën shtesë për aktgjykimin ndaj Thaçit e të tjerëve, me “kompleksitetin” e rastit

YKIYWW33MRK4ZPBMCIYJSV52J4

Në mes kritikave për procedura të tejzgjatura, Gjykata Speciale ka shtyrë afatin për shpalljen e aktgjykimit në rastin e ish-krerëve të UÇK-së deri më 20 korrik. Arsyeja pas këtij vendimi ishte “kompleksiteti i rastit”, sipas Speciales. Por, kjo datë mund të mos jetë më e largëta e mundshme meqë u paralajmërua edhe një zgjatje tjetër në rast se “bëhet absolutisht e nevojshme”.

Gazeta Express

Dhomat e Specializuara në Hagë kanë konfirmuar sot për Gazetën Express se Trupi gjykues ka nxjerrë një vendim për të zgjatur afatin për shpalljen e Aktgjykimit për ish-krerët e UÇK-së në Hagë edhe për 60 ditë të tjera, deri të hënën, më 20 korrik 2026.

Zëdhënësja e këtij institucioni, Angela Griep, tha se ky vendim u mor “për shkak të kompleksitetit të rastit”.

“Kjo datë nuk është data e shpalljes së aktgjykimit, por vetëm data e afatit të zgjatur”, tha ajo, duke shpjeguar se aktgjykimi mund të shpallet edhe para 20 korrikut.

Megjithatë, as kjo datë mund të mos jetë e fundit.

“Trupi Gjykues shtoi se, nëse një zgjatje e mëtejshme bëhet absolutisht e nevojshme, do të nxjerrë një urdhër përkatës në kohën e duhur”, tha ajo.

Shpallja e aktgjykimit ishte paraparë të bëhej më 19 maj, në përputhje me afatet procedurale.

Vendimi i ri vjen mes kritikave të shumta e protestave që e përcollën gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit për njëanshmëri e padrejtësi nga ana e Dhomave të Specializuara.

Ky lajm nxiti reagimin e Partisë Demokratike të Kosovës, e cila e shqetësuar tha se “zvarritjet e pafundme e kanë kthyer procesin gjyqësor në Hagë në padrejtësi të institucionalizuar”.

“Kjo vonesë e pajustifikueshme është një dëshmi e radhës e këtij procesi të stërzgjatur, i cili e ka humbur kuptimin e drejtësisë dhe është shndërruar në një proces të ndikuar nga kalkulimet politike. Shtyrja e fundit është një goditje tjetër ndaj besimit tonë në drejtësi dhe një padrejtësi e shtuar ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilët prej rreth pesë vitesh e gjysmë po mbahen në paraburgim, duke ua shndërruar këtë masë në një dënim të heshtur të imponuar përmes vonesave të përsëritura”.

Një anëtar i kësaj partie dhe ish-këshilltari i Hashim Thaçit, Artan Behrami, këtë shtyrje e lidhi me datën e zgjedhjeve në Kosovë.

Zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme në Kosovë u caktuar më 7 qershor dhe shpallja e aktgjykimit ishte e paraparë të bëhej para zgjedhjeve, më 19 maj.

“Njëherë ia shtynë ardhjen te babai i sëmurë për shkak të zgjedhjeve. Tani thuhet që sërish shtyhet verdikti për shkak të zgjedhjeve! A po e shihni sa politike është kjo gjykatë?”, tha Behrami mbrëmë.

Para se Specialja të konfirmonte sot ndërrimin e datës së shpalljes së aktgjykimit, shtyrjen e vendimit mbrëmë e konfirmoi për mediumin publik avokati i Thaçit, Luka Mishetiq.

“Mund ta konfirmoj se kjo është e saktë”, ka deklaruar Mishetiq në përgjigjen e tij.

Në shkurt të këtij viti, katërshja e UÇK-së dhanë fjalët përfundimtare në Hagë duke u deklaruar sërish të pafajshëm dhe duke thënë se akuzat ndaj tyre nuk janë provuar gjatë gjykimit.

Ish-presidenti Thaçi në fjalën e tij tha se krime bëri vetëm ish-udhëheqësi i Serbisë, Sllobodan Millosheviq.

“Për gati tre vjet, në këtë sallë gjyqi ju keni dëgjuar akuzat e Prokurorisë dhe argumentet e mbrojtjes. Ju keni parë faktet, ju keni dëgjuar të vërtetën. Është vetëm një e vërtetë: që akuzat nuk qëndrojnë. Unë jam plotësisht i pafajshëm”, kishte thënë Thaçi në fjalën e tij përfundimtare.

Ngjashëm për pafajësi e për mungesë të provimit të akuzave të Prokurorisë u deklaruan edhe tre të akuzuarit e tjerë.

Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi u paraburgosen në nëntor të 2020-ës.

Ndaj tyre rëndojnë akuzat për krime lufte e krime kundër njerëzimit gjatë periudhës mars 1998 – shtator 1999.

The post Specialja e arsyeton kohën shtesë për aktgjykimin ndaj Thaçit e të tjerëve, me “kompleksitetin” e rastit appeared first on Gazeta Express.

InfoShqip