
Fillon regjistrimi i qytetarëve që duan të votojnë nga jashtë Kosovës për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit. Ky afat do të zgjasë deri më 17 maj.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, përmes një videoje në rrjetet sociale u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve që të regjistrohen për të marrë pjesë në procesin elektoral.
“Të dashur bashkatdhetarë, sot po iu drejtohem juve që për dekada e keni mbajtur Kosovën afër, në punë, në shtëpi, në gjuhë, në kujtesë dhe në dinjitet. Afati i regjistrimit për të votuar jashtë vendit nis sot dhe vazhdon deri më 17 maj regjistrohuni për të votuar”, tha Haxhiu.
Përmes votës në zgjedhje, ata mund të vazhdojnë kontributin për Republikën e Kosovës dhe të bëhen pjesë e vendimmarrjes.
“Keni qenë zëri i Kosovës kudo në botë. Vazhdoni kontributin tuaj për Republikën e Kosovës dhe bëhuni pjesë e vendimmarrjes. Regjistrohuni me kohë. Ndihmoni njëri-tjetrin”, tha Haxhiu.
Emigrantët mund të votojnë në dy mënyra, përmes postës dhe në përfaqësitë diplomatike. Votimi nëpërmjet postës mund të bëhet nga periudha 25 maj për 12 ditë, deri më 6 qershor.
