E mërkurë, 06 Maj 2026
Lajme

Arsenali “noton” në miliona nga Championsi – pothuajse 140 milionë euro të fituara

1 9

Arsenali po e përjeton jo vetëm një sezon historik në planin sportiv, por edhe një sukses të jashtëzakonshëm financiar, teksa rrugëtimi në Ligën e Kampionëve i ka sjellë klubit londinez të ardhura marramendëse.

Sipas raportimeve, “Topçinjtë” i kanë siguruar pothuajse 140 milionë euro nga pjesëmarrja dhe ecuria e tyre në këtë edicion të Championsit, duke u renditur ndër klubet me fitimet më të larta në Evropë nga kjo garë, përcjell “Gazeta Express”.

Vetëm kualifikimi në finale ia ka sjellë Arsenalit një bonus shtesë prej rreth 18.5 milionë eurosh, duke e çuar totalin e fitimeve në rreth 143 milionë euro nga shpërblimet e UEFA-s.

Fitimet nuk vijnë vetëm nga rezultatet në fushë, por edhe nga disa faktorë të tjerë, si bonuset për fitoret në ndeshje, pozicionimi në fazën e ligës, të drejtat televizive dhe vlera komerciale e klubit në treg.

Në fillim të sezonit, vetëm pjesëmarrja në Champions garanton dhjetëra miliona euro për çdo klub, ndërsa çdo fazë e kaluar i shton ndjeshëm të ardhurat.

Me kalimin në fazat eliminatore, shumat rriten progresivisht, duke e bërë këtë kompeticion një “minierë ari” për klubet elitare.

Për më tepër, nëse Arsenali arrin ta fitojë trofeun, përfitimet financiare do të rriten edhe më shumë, duke e kaluar potencialisht shifrën e 150 milionë eurove në total, një shumë që mund të ndikojë drejtpërdrejt në planet e klubit për transferime dhe investime në skuadër.

Në edicionet e fundit, fituesit e Champions League i kanë përfituar mbi 130-140 milionë euro në total, duke e konfirmuar këtë kompeticion si burimin më të madh të të ardhurave në futbollin evropian. /Gazeta Express

The post Arsenali “noton” në miliona nga Championsi – pothuajse 140 milionë euro të fituara appeared first on Gazeta Express.

InfoShqip