E mërkurë, 06 Maj 2026
Lajme

Zbulohen tri arsyet pse Enzo Maresca u shkarkua nga Chelsea

Image

Mediat britanike kanë zbuluar përfundimisht arsyet pse trajneri italian, Enzo Maresca, u shkarkua nga drejtuesit e Chelseat në fillim të muajit janar.

Sipas BBC Sport, Maresca u largua nga Chelsea në janar për shkak të mosmarrëveshjeve mbi transferimet, pagën e tij dhe atë që ai e perceptoi si ndërhyrje nga departamenti mjekësor mbi disponueshmërinë e lojtarëve.

Italiani u largua pavarësisht se fitoi Ligën e Konferencës, siguroi kualifikimin në Ligën e Kampionëve në sezonin e tij debutues dhe ngriti Kupën e Botës për Klube – të gjitha brenda 18 muajsh në Stamford Bridge.

Lojtarë të nivelit të lartë, përfshirë Marc Cucurella dhe Enzo Fernandez, kritikuan publikisht vendimin e klubit, duke nënvizuar se sa popullor kishte qenë Maresca në dhomën e zhveshjes.

Mënyra se si Chelsea e trajtoi situatën pati efekt të kundërt. Zëvendësuesi i tij, Liam Rosenior, bëri një nisje premtuese përpara se mandati i tij të dështonte në mënyrë spektakolare, duke kulmuar me pesë humbje radhazi në ligë pa shënuar asnjë gol, përpara se edhe ai të shkarkohej.

Trajneri i përkohshëm, Calum McFarlane, që atëherë e ka stabilizuar situatën, duke e udhëhequr klubin drejt finales së Kupës FA.

Maresca mbetet pa punë, por pritet gjerësisht të pasojë Pep Guardiolën si trajner i Manchester Cityt kur spanjolli përfundimisht të largohet nga Etihad në fund të sezonit. /Telegrafi/

InfoShqip