E mërkurë, 06 Maj 2026
Lajme

Prishtina Trails 2026: Vrapim në natyrë e me mendje për mbrojtjen e Gërmisë

Image

Prishtina Trails, ngjarja më e madhe e trail running në Kosovë, rikthehet më 10 maj 2026 në Parkun e Gërmisë, duke sjellë jo vetëm një garë sportive, por edhe një mesazh të qartë për mbrojtjen e mjedisit dhe promovimin e një jetese të qëndrueshme.

E organizuar nga X-Trailers Run Club, gara këtë vit ka arritur një interesim rekord, me të gjitha 500 vendet e plotësuara një muaj para zhvillimit të saj. Por përtej numrave, fokusi kryesor mbetet ruajtja e natyrës dhe përgjegjësia ndaj mjedisit.

E zhvilluar në shtigjet e Gërmisë, gara ofron tri distanca: 10 km, 23 km dhe 48 km ultra, duke u përshtatur për të gjitha nivelet. Paralelisht, më 9 maj organizohet edhe Fun Run Kids, një aktivitet i dedikuar për fëmijët, që synon të përhapë dashurinë për vrapimin, aktivitetin në natyrë dhe vetëdijësimin për mbrojtjen e mjedisit që në moshë të hershme.

Image

Një nga iniciativat kryesore këtë vit është eliminimi i plastikës njëpërdorimshme. Në këtë drejtim, kompania Rugove ka mbështetur eventin duke siguruar shishe të ripërdorshme për çdo pjesëmarrës, të cilat përdoren gjatë garës për rimbushje në pikat e furnizimit.

Image

Po ashtu, një element i veçantë janë medaljet përfundimtare: të gjitha 500 medaljet për vrapuesit dhe 300 medaljet për fëmijët prodhohen nga kapakë plastikë të ricikluar (upcycled), duke dhënë një mesazh konkret për reduktimin e mbeturinave dhe përdorimin kreativ të materialeve ekzistuese.

Image

Organizatorët kanë kufizuar numrin e pjesëmarrësve për të mbrojtur shtigjet dhe për të ruajtur cilësinë e përvojës. Iniciativa “Gërmia pa kerre” mbetet një tjetër shtyllë e rëndësishme, duke promovuar një park më të pastër dhe më të qetë.

Image

Përmes këtyre veprimeve, Prishtina Trails po ndërton një model ku sporti dhe natyra ecin bashkë — një garë që lë gjurmë jo vetëm në shtigje, por edhe në mënyrën si mendojmë për mjedisin.

InfoShqip