E mërkurë, 06 Maj 2026
Lajme

Franca njofton dërgimin e një aeroplanmbajtëseje në Detin e Kuq

Image

Ministria e Mbrojtjes e Francës ka njoftuar vendosjen e aeroplanmbajtëses Charles de Gaulle në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit, për t’u përgatitur për një mision të ardhshëm për të rivendosur lundrimin e lirë në Ngushticën e Hormuzit.

Aeroplanmbajtësja dhe anijet e saj shoqëruese do të kalojnë sot Kanalin e Suezit, në rrugën drejt Detit të Kuq jugor, tha ministria, transmeton Telegrafi.

Vendosja e anijes është pjesë e një iniciative më të gjerë shumëkombëshe të udhëhequr nga Britania dhe Franca që synon rihapjen e rrugës kryesore ujore.

Në fillim të luftës SHBA-Izrael me Iranin, presidenti francez Emmanuel Macron fillimisht vendosi aeroplanmbajtësen Charles de Gaulle në Mesdheun lindor dhe Detin e Kuq, si një masë mbrojtëse.

E presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se “Project Freedom” (Operacioni Liria) – përpjekja e SHBA-së për të shoqëruar në mënyrë të sigurt anijet përmes Ngushticës së Hormuzit – “do të pezullohet për një periudhë të shkurtër kohe”.

Trump tha se vendimi është marrë “për të parë nëse” një marrëveshje me Iranin “mund të finalizohet”. /Telegrafi/

InfoShqip