Udhëtimi me aeroplan me fëmijë mund të jetë një përvojë stresuese për shumë njerëz, dhe ish-asistentja e fluturimit Laura Davis shpjegoi pse familjet me fëmijë duhet të jenë të fundit që hipin në aeroplan.
Ajo ndau mendimin e saj në TikTok, duke deklaruar se për vite me radhë ka parë familjet të hipin të parat dhe ngadalë të humbasin durimin para se të mbyllen dyert.
Për të luftuar kombinimin e ankthit prindëror dhe atij të fëmijës para nisjes, Davis sugjeron një qasje të ndryshme.
“Hipi i fundit, ulu dhe do të nisesh menjëherë. Privilegji i hipjes herët është një kurth. E kam ofruar prej vitesh dhe vetëm tani po e kuptoj”, tha ajo.
Qëndrimi i saj shkaktoi një debat, pasi disa prindër mbrojtën praktikën e hipjes në aeroplan më herët. Ky debat, siç thuhet nga New York Post, është pjesë e një trendi më të gjerë të vënies në pikëpyetje të normave në hapësirat publike. Edhe pse linjat ajrore u japin përparësi familjeve, ka gjithnjë e më shumë njerëz që mendojnë se kjo nuk është zgjidhja më e mirë.
Ekspertët për udhëtimet me fëmijë këshillojnë prindërit të jenë të përgatitur mirë, të marrin me vete shumë ushqime të lehta dhe lodra dhe t’u flasin fëmijëve të tyre rreth fluturimit si një aventurë emocionuese. Qasja më e mirë shpesh varet nga fëmija, numri i të rriturve dhe durimi e empatia e të gjithë pasagjerëve.
