Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur të mërkurën (06/05/2026) mbledhjen e rregullt të Kryesisë, ku janë diskutuar zhvillimet aktuale politike në vend, me fokus të veçantë përgatitjet për Zgjedhjet e Përgjithshme të 7 qershorit.
Sipas njoftimit të PDK-së, në mbledhje është theksuar nevoja për mobilizim të plotë të strukturave të partisë, përfshirë angazhimin për regjistrimin e votuesve dhe përkrahësve të PDK-së në mërgatë.
Në këtë takim, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka shprehur mirënjohje edhe për deputetin e deritanishëm, Ferat Shala, i cili ka vendosur të mos jetë pjesë e garës zgjedhore, duke vlerësuar kontributin e tij shumëvjeçar në parti dhe institucione.
“Në këtë mbledhje, kryetari Hamza shprehu mirënjohje edhe për deputetin e deritanishëm, Ferat Shala, i cili ka vendosur të mos jetë më pjesë e garës zgjedhore, duke vlerësuar lart kontributin e tij shumëvjeçar për PDK-në dhe institucionet e vendit”, thuhet në njoftim.
PDK ka bërë të ditur se Shala do të vazhdojë të jetë pjesë e strukturave drejtuese të partisë.
“Z. Shala do të vazhdojë të japë kontributin e tij si pjesë e strukturave drejtuese dhe si anëtar i Kryesisë së PDK-së”, thuhet më tej.
Ndër vendimet e marra, Kryesia e PDK-së ka vendosur unanimisht që ish-kryetari i partisë, Memli Krasniqi, ta udhëheqë shtabin zgjedhor dhe fushatën.
“Kryesia vendosi unanimisht që ish-kryetari Memli Krasniqi ta udhëheqë shtabin zgjedhor dhe fushatën e Partisë Demokratike të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, PDK ka theksuar se mbetet e hapur për përfshirje të personaliteteve të reja në listën zgjedhore.
“Partia Demokratike e Kosovës mbetet e hapur dhe mirëpret të gjitha personalitetet që dëshirojnë të jenë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë”, thuhet në njoftim.
Në fund, PDK ka deklaruar se në këtë proces zgjedhor hyn me “vizion të qartë” dhe me “ekip të përgatitur”, duke shprehur besimin se do t’i japë vendit “drejtimin që meriton”.
“Partia Demokratike e Kosovës hyn në këtë proces zgjedhor me vizion të qartë, me ekip të përgatitur dhe me besimin se do t’i japë Kosovës drejtimin që meriton”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/
