Presidenti serb, Aleksandar Vuciq, ka vendosur t’i bojkotojë ngjarjet e Bashkimit Evropian dhe po largohet çdo herë e më shumë nga BE. Kështu ka vepruar edhe me samitin, duke mos marrë pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Jerevan.
Samiti i Komunitetit Politik Evropian, i mbajtur në Jerevan nën sloganin “Ndërtimi i së ardhmes: Unitet dhe stabilitet në Evropë”, mblodhi liderë nga 48 vende. Megjithatë, për herë të parë mungoi presidenti i Serbisë.
Por një qasje e tillë nuk vërehet kur bëhet fjalë për takime me zyrtarë që përfaqësojnë Rusinë.
Vuciq ndryshe nga bojkoti ndaj ngjarjeve të BE-së veproi me zyrtarët rusë. Ai sot u takua me ambasadorin rus në Beograd, Aleksandar Bocan-Harcenko, ku theksoi se për Serbinë mbetet jetike furnizimi i qëndrueshëm me energji, sidomos me gazin rus. Ai deklaroi se do të vazhdojë të ndjekë një politikë “të përgjegjshme energjetike”, duke e lidhur qartë këtë qëndrim me bashkëpunimin me Moskën.
Madje, presidenti serb i dorëzoi ambasadorit një letër të cilën kërkoi t’ia dërgonte presidentin rus Vladimir Putin, duke e uruar për Ditën e Fitores më 9 maj, të cilën e cilësoi si ‘një nga datat më të rëndësishme në historinë e njerëzimit’. Ai theksoi se kjo ditë simbolizon heroizmin dhe rezistencën, ndërsa shtoi se Serbia nuk do të lejojë “rishikimin e historisë”.
Në të njëjtën linjë, presidenti serb nënvizoi rolin e Ushtrisë së Kuqe në çlirimin e Serbisë dhe të Evropës, duke riafirmuar narrativën tradicionale pro-ruse.
