E mërkurë, 06 Maj 2026
Lajme

A rigjenerohen mushkëritë pas lënies së duhanit?

Mushkerite

Për një kohë të gjatë është menduar se mushkëritë nuk kanë aftësi rigjeneruese. Megjithatë, sipas ekspertëve, kjo nuk është plotësisht e vërtetë. Mushkëritë kanë një kapacitet të konsiderueshëm për t’u riparuar, veçanërisht pasi një person ndalon duhanin.

Dr. Charlotte Dean, drejtuese e grupit për zhvillimin dhe sëmundjet e mushkërive në Imperial College London, shpjegon se mushkëritë janë zhvilluar për t’u përballur me dëmtime të ndryshme, si ndotja e ajrit, bakteret apo viruset. Duke qenë jetike për organizmin, ato kanë mekanizma natyralë për t’u shëruar pas dëmtimeve.

Megjithatë, kjo nuk duhet të shërbejë si arsye për të vazhduar duhanin. Sipas Dean, duhani dhe produktet e tjera si cigaret elektronike i ekspozojnë mushkëritë ndaj një sasie të madhe grimcash toksike, shpesh përtej aftësisë së tyre për t’u rikuperuar.

Ekspertja thekson se jo të gjithë njerëzit reagojnë njësoj. Tek disa persona, mushkëritë mund të rigjenerohen më mirë pas lënies së duhanit, ndërsa tek të tjerë dëmtimet mund të jenë të përhershme. Këto dëmtime mund të përfshijnë ndryshime gjenetike, mutacione apo dëmtim të indeve, të cilat mund të ndikojnë në shëndetin afatgjatë të mushkërive.

“Edhe pse është e vërtetë që pas lënies së duhanit shëndeti i mushkërive mund të përmirësohet ndjeshëm, kjo nuk do të thotë se rreziku zhduket plotësisht. Dëmet e mëparshme mund të ndikojnë në plakjen më të shpejtë të mushkërive ose të rrisin rrezikun për sëmundje serioze, përfshirë kancerin”, shpjegon Dean.

Për këtë arsye, ajo këshillon që duhani të lihet sa më herët. Ashtu si kockat që shërohen më ngadalë me kalimin e viteve, edhe indet e mushkërive bëhen më pak efikase në riparim me moshën.

Një stil jetese i shëndetshëm mund të ndihmojë në këtë proces. Aktiviteti fizik, sipas ekspertëve, luan rol të rëndësishëm në ruajtjen e kapacitetit të mushkërive dhe përmirësimin e shkëmbimit të oksigjenit në trup.

Pra, mushkëritë mund të rikuperohen pas lënies së duhanit, por jo gjithmonë plotësisht. Sa më herët të ndërpritet duhani, aq më të mëdha janë mundësitë për të ruajtur shëndetin e tyre në afat të gjatë. /GazetaExpress/

The post A rigjenerohen mushkëritë pas lënies së duhanit? appeared first on Gazeta Express.

InfoShqip