E enjte, 07 Maj 2026
Lajme

Dy rivalët e Kosovës në Ligën e Kombeve nuk duan të përballen me njëra tjetrën

Image

Federata e Futbollit e Irlandës (FAI) ka marrë një letër zyrtare ku kërkohet që kombëtarja irlandeze të mos zhvillojë ndeshjet kundër Izraelit në kuadër të Ligës së Kombeve.

Letra i është drejtuar FAI-t dhe është nënshkruar nga një lojtar i klubit Shamrock Rovers, njëkohësisht kryetar i Shoqatës së Lojtarëve të Irlandës.

Ajo është mbështetur gjithashtu nga Shoqata Irlandeze e Sportit për Palestinën dhe grupi muzikor Kneecap, ndërsa më pas është bërë publike edhe në rrjetet sociale.

Image

Në mesazhin e tyre, nënshkruesit kërkojnë pezullimin e ndeshjeve ndaj Izraelit, duke argumentuar se situata humanitare në Palestinë duhet të ketë përparësi mbi garat sportive.

“Si lojtarë dhe tifozë, instinkti ynë është gjithmonë të garojmë në fushë, por ky është një moment që kërkon reflektim. Nuk mund të injorohet katastrofa humanitare që po ndodh në Palestinë. Numri i viktimave është i papranueshëm dhe duhet të ketë përparësi mbi çdo konsideratë sportive”, thuhet në letër.

Më tej, nënshkruesit i bëjnë thirrje Federatës së Futbollit të Irlandës që të marrë një qëndrim më të fortë.

“Irlanda ka mundësinë të tregojë lidership dhe të jetë shembull për të tjerët. Duhet të kemi guximin të themi ‘mjaft’. Ju bëjmë thirrje të ndaloni zhvillimin e ndeshjeve”.

Image

Pavarësisht presionit publik, FAI kishte konfirmuar më herët në shkurt se do t’i zhvillojë ndeshjet ndaj Izraelit, duke argumentuar se një bojkot i mundshëm mund të sillte pasoja si përjashtim nga garat e UEFA-s.

Në të njëjtin grup me Irlandën dhe Izraelin ndodhen edhe Kosova dhe Austria.

Kombëtarja e Kosovës do ta zhvillojë ndeshjen e parë ndaj Izraelit më 1 tetor në udhëtim, ndërsa takimi i kthimit do të luhet më 14 nëntor në Prishtinë. /Telegrafi/

InfoShqip