E enjte, 07 Maj 2026
Lajme

Është 80 vjeçe dhe duket në formë shumë të mirë, aktorja Goldie Hawn tregon sekretin se çfarë e mban kaq vitale

Image

Aktorja legjendare Goldie Hawn ka treguar se, edhe pse i ka mbushur 80 vjet, nuk ka ndërmend të ngadalësojë ritmin. Ajo u shfaq të martën mbrëma në New York, në qendrën 92nd Street Y, ku prezantoi librin e saj më të ri për fëmijë, “The After-School Kindness Crew”, të cilin e ka shkruar në bashkëpunim me autoren Lin Oliver.

Gjatë bisedës me Jonathan Haidt, Hawn foli për mënyrat se si fëmijët mund të përballen me stresin dhe si të kultivohet optimizmi. Ajo kujtoi se, ndonëse festoi 80-vjetorin në nëntor 2025, nuk planifikon të ndalet dhe synon të shkruajë edhe libra të tjerë për fëmijë.

Sa i përket energjisë dhe pamjes së saj rinore, Hawn tha se nuk ka “asnjë sekret” të veçantë, por një rutinë të thjeshtë, të qëndrueshme. “Nuk kam ndonjë sekret. Vërtet nuk kam. Përpiqem t’i pi lëngjet e mia. Mundohem çdo ditë të ushtroj të paktën pak. Gjatë ditës gjej momente për veten,” u shpreh ajo, duke shtuar se përpiqet të mbetet pozitive dhe “shumë, shumë aktive”.

Image Foto: Profimedia

Aktorja theksoi se lëvizja e përditshme është çelësi për të: ajo ecën, vrapon, bën aktivitete të ndryshme, shkon në hiking dhe vozit biçikletë, ndërsa thotë se përpiqet edhe të argëtohet sa më shumë. “Unë jam kërcimtare, prandaj thjesht nuk mund të ndalem së lëvizuri. Mendoj se aty qëndron e gjithë puna”, ka thënë Hawn.

Ajo përmendi edhe një qasje praktike ndaj stërvitjes, duke thënë se i pëlqejnë seancat e shkurtra, por të rregullta. Nëse nuk ka kohë për një orë, ajo bën një stërvitje 15-minutëshe, të cilën e konsideron shumë efektive, pasi – sipas saj – lodhja e tepërt në një seancë të gjatë mund ta “mbingarkojë” trupin.

Një tjetër pjesë e rëndësishme e rutinës së saj është meditimi. Hawn tregoi se, edhe kur nuk arrin të bëjë një seancë të gjatë në mëngjes për shkak të angazhimeve, ajo gjen gjatë ditës momente të shkurtra për t’u qetësuar dhe për t’u rikthyer në balancë.

Image Foto: Profimedia

Edhe kujdesi për lëkurën, sipas saj, është i thjeshtë: ajo lan fytyrën çdo ditë dhe e masazhon për rreth tre minuta, më pas vendos kremra dhe fle. Në mëngjes e përsërit të njëjtën rutinë, pa procedura të komplikuara. Ajo përmendi gjithashtu se për një periudhë ka përdorur edhe vaj kokosi në fytyrë.

Artikulli kujton edhe angazhimin e saj në filantropi: Hawn themeloi në vitin 2003, “Goldie Hawn Foundation”, një organizatë jofitimprurëse që ofron programe edukative për mirëqenien dhe shëndetin mendor të të rinjve. /Telegrafi/

InfoShqip