E enjte, 07 Maj 2026
Lajme

Kurti për shtyrjen e vendimit për ish-krerët e UÇK-së: Besojmë në pafajësinë e tyre

Image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar vendimin e fundit të Gjykatës Speciale për shtyrjen e vendimit edhe për dy muaj për ish-krerët e UÇK-së, duke thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka qasje në zhvillimet që ndodhin në këtë gjykatë.

“Sa i përket vendimit të Gjykatës Speciale që të shtyhet për dy muaj, nëse s’gaboj, vendimi i tyre, ne e morëm vesh njësoj sikurse të gjithë ju, për shkak se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka qasje në dinamikat dhe zhvillimet që bëhen në Gjykatën Speciale”, deklaroi Kurti.

Ai kritikoi mungesën e transparencës së kësaj gjykate ndaj Kosovës.

“Gjykata Speciale nuk karakterizohet nga transparenca për vendin tonë e në shërbim të të cilit thuhet se është”, u shpreh ai.

Kurti theksoi se Kosova nuk ka nevojë për Gjykata Speciale, por për sistem të rregullt të drejtësisë.

“Edhe njëherë e theksoj, Kosova ka nevojë për gjykata normale, jo për gjykata speciale”, deklaroi kryeministri.

Ai përmendi edhe amendamentin kushtetues të vitit 2015, duke e cilësuar si një nga ditët më të rënda për Kosovën.

“Amandamentimi numër 24 i Kushtetutës më 3 gusht të vitit 2015 është një ndër ditët më të rënda të Kosovës të pavarur e të republikës tonë demokratike dhe të gjitha këto tash janë pasoja”, tha Kurti.

Kryeministri përsëriti bindjen e tij për pafajësinë e ish-krerëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

“Ne besojmë në drejtësinë e UÇK-së dhe në pafajësinë e krerëve të UÇK-së, të luftëtarëve të saj, të cilët vazhdojnë që të mbahen në burg, padrejtësisht në Hagë”, deklaroi ai.

InfoShqip