E enjte, 07 Maj 2026
Lajme

Volz nga Departamenti amerikan i Energjisë: Sistemi energjetik në Kosovë ka nevojë urgjente për modernizim

Joshua Volz Special Envoy For Global Energy Integration.jpg

I dërguari i posaçëm i Departamentit amerikan të Energjisë për integrimin energjetik, Joshua Volz, thotë se Uashingtoni po e rrit angazhimin e tij në Ballkanin Perëndimor për të forcuar sigurinë energjetike të aleatëve dhe për të ulur varësinë e tyre nga furnizimet ruse.

Ai tha se po përpiqen që me energjinë dhe burimet energjetike të SHBA’së t’i mbështesin partnerët dhe aleatët në mbarë botën, duke u dhënë atyre “mundësi më të mira dhe qasje më të madhe në diversifikimin energjetik dhe sigurinë energjetike”.

Disa nisma të fundit – të mbështetura nga SHBA-ja në fushën e energjisë – janë shpallur ose diskutuar me Shqipërinë, Kroacinë, Bosnje dhe Hercegovinën dhe Malin e Zi.

Por, ku qëndron Kosova?

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai u pyet për mungesën e instrastrukturës së gazit natyror në Kosovë dhe se ajo s’është drejtpërdrejt pjesë e këtyre iniciativave.

Volz tha se Kosova është një partnere dhe aleate shumë e rëndësishme, ndërsa potencoi që Shtetet e Bashkuara ishin të parat që e njohën pavarësinë e Kosovës.

“Ne po vazhdojmë ta forcojmë edhe më tej marrëdhënien tonë me partnerët në Prishtinë, dhe mundësitë ekonomike atje janë të konsiderueshme”.

Sa i përket energjisë, ai tha se Kosova është “padyshim një treg i gatshëm për investime, i mbushur me mundësi dhe në nevojë për modernizim”.

Megjithatë, ai thotë se Kosova ka “nevojë urgjente për modernizimin” e sistemit energjetik.

“Për tërheqjen e investimeve më të mëdha, duhet të krijohen më shumë nxitje për investimet e sektorit privat amerikan dhe për financimet ndërkombëtare që të hyjnë në Kosovë. Këto janë çështje me të cilat po merren shumë seriozisht kolegët e mi në Departamentin e Tregtisë, Departamentin e Thesarit dhe Departamentin e Shtetit”./Express/

The post Volz nga Departamenti amerikan i Energjisë: Sistemi energjetik në Kosovë ka nevojë urgjente për modernizim appeared first on Gazeta Express.

InfoShqip