Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Ferizaj kanë njoftuar se kanë nisur hetimet për rastin që e kanë cilësuar si “vrasje e foshnjës gjatë lindjes”.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Emergjencën e Ferizajt rreth orës 19.00 të së martës.
Foshnja është gjetur në gjendje të rëndë dhe ka vdekur vetëm pak minuta më vonë.
Ndërkohë Spitali i Ferizajt ka njoftuar pacientja është paraqitur në spital me ankesa për obstipacion dhe, në një moment, ka hyrë në tualet duke e mbyllur derën.
“Pas insistimit dhe presionit nga stafi mjekësor, të cilët kishin dëgjuar zërin e një foshnjeje, dera është hapur. Nëna kishte prerë kordonin umbilikal të foshnjës dhe e kishte hedhur atë në koshin e mbeturinave, në gjendje të rëndë dhe hipotermike.”
Sipas njoftimit të Spitalit menjëherë janë ndërmarrë masat emergjente për trajtimin e nënës dhe foshnjës, të cilat janë transferuar në repartet e Gjinekologjisë dhe se ekipi mjeksore ka filluar menjëherë të gjitha procedurat reanimatore.
Në momentin kur është gjetur, foshnja ka qenë e lagur dhe në hipotermi me temperaturë nën 32 gradë dhe oksigjen nën 60. Sipas raportit të policisë thuhet se e dyshuara, është në trajtim mjekësor në spitalin Gjinekologjik të Ferizajt, ndërsa foshnja në morg./abcnews.al
