E enjte, 07 Maj 2026
Lajme

Agjencia Anadolu: Kompania turke SYS nënshkruan marrëveshje me Kosovën për furnizim me pajisje për 100 mjete të blinduara

Bbb

Agjencia turke e lajmeve Anadolu Agency ka bërë të ditur se është nënshkruar një marrëveshje ndërmjet Kosova dhe kompanisë turke Samsun Yurt Savunma (SYS) për furnizimin me pajisje për 100 mjete të blinduara.

Sipas informacionit të publikuar, marrëveshja parashikon armatosjen e këtyre mjeteve me sisteme të telekomanduara dhe topa të kalibrit 30×113 mm, të prodhuara nga SYS. Kontrata vlerësohet në mbi 50 milionë dollarë dhe përfshin modernizimin e kapaciteteve të forcave të sigurisë së Kosovës.

Ky bashkëpunim vjen në kuadër të zgjerimit të bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes midis Turqisë dhe Kosovës, ndërsa kompania SYS po vazhdon të rrisë praninë e saj në tregjet ndërkombëtare të armatimit.

Nënshkrimin e marrëveshjes e ka konfirmuar Zafer Aral, Kryetar i Bordit të Drejtorëve të CANİK, gjatë një panairi të industrisë së mbrojtjes.

“Është nënshkruar një marrëveshje për armatosjen e mjeteve të blinduara në Kosovë. Ne kemi topa 30×113 mm. Me frëngji dhe këto topa do të armatosen automjetet e blinduara në Kosovë. Do të armatosen 100 mjete tokësore me frëngji dhe topa 30×113 mm. Është një marrëveshje mbi 50 milionë dollarë,” tha Aral.

Ai shtoi gjithashtu se industria turke e mbrojtjes ka arritur një nivel të ri në tregun global dhe se koncepti i luftës ka ndryshuar ndjeshëm, duke u fokusuar gjithnjë e më shumë në përdorimin e mjeteve pa pilot në tokë, det dhe ajër, të pajisura me armë efektive dhe me kosto më të ulët.

Sipas Aralit, vende nga rajoni i Gjirit, Azia dhe Afrika po shfaqin interes në rritje për këtë qasje të re të luftës dhe po kërkojnë zgjidhje të ngjashme në bashkëpunim me industrinë turke të mbrojtjes.

The post Agjencia Anadolu: Kompania turke SYS nënshkruan marrëveshje me Kosovën për furnizim me pajisje për 100 mjete të blinduara appeared first on Gazeta Express.

InfoShqip