E enjte, 07 Maj 2026
Lajme

Meksikani tentoi të grabiste veturën, vritet nga pronari në Teksas

Image

Policia ka identifikuar të dyshuarin që u vra gjatë një tentative për grabitje automjeti në Garland të Texasit.

Bëhet fjalë për 30-vjeçarin Jose Ramirez, shtetas meksikan, i cili sipas autoriteteve nuk ishte banor i Garlandit.

Sipas policisë, Ramirez tentoi të vidhte disa automjete me forcë pranë autostradës Highway 66 dhe Dairy Road, para se të përpiqej të merrte një veturë ku ndodhej një familje me tetë anëtarë, raporton foxnews.

Pamjet nga kamerat e sigurisë tregojnë momentin kur ai sulmon familjen në parkingun e një qendre tregtare në Garland të Teksasit.

Shumica e familjarëve ndodheshin ende brenda makinës kur ndodhi tentativa e grabitjes. Gjatë përleshjes, babai i familjes e qëlloi për vdekje të dyshuarin.

Departamenti i Policisë së Garlandit tha se Ramirez fillimisht ishte përfshirë në një aksident me dy automjete të tjera.

Dëshmitarja Tatiana Starks, menaxhere e një dyqani pranë vendit të ngjarjes, tha se ai po sillej në mënyrë të çrregullt dhe dukej se “nuk ishte në gjendje të mirë mendore”.

Policia nuk pret të ngrejë akuza ndaj babait, pasi rasti po trajtohet si vetëmbrojtje. “Dukej qartë se ishte vetëmbrojtje. Gjithçka ndodhi shumë shpejt”, tha zëdhënësi i policisë, Pedro Barineau. /Telegrafi/

InfoShqip