E premte, 08 Maj 2026
Lajme

Trump ultimatum BE-së: Keni afat deri më 4 korrik për marrëveshjen tregtare me SHBA

Trump

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se i ka dhënë Bashkimit Europian afat deri më 4 korrik për të përmbushur angazhimet në kuadër të marrëveshjes tregtare me SHBA-në, duke paralajmëruar se në të kundërt tarifat amerikane ndaj importeve nga vendet e BE-së do të rriten ndjeshëm.

Njoftimi u bë nga vetë Trump përmes një postimi në platformën “Truth Social”, pas një bisede telefonike me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

“Kam pritur me durim që BE-ja të përmbushë pjesën e saj të marrëveshjes historike tregtare që arritëm në Turnberry të Skocisë, marrëveshja më e madhe tregtare në histori”, shkroi Trump.

Presidenti amerikan theksoi se Bashkimi Europian duhet të ulë tarifat në zero dhe paralajmëroi pasoja të menjëhershme në rast se kjo nuk ndodh brenda afatit të caktuar.

“Pranova t’i jap BE-së afat deri në 250-vjetorin e vendit tonë. Në të kundërt, fatkeqësisht, tarifat ndaj saj do të rriten menjëherë në nivele shumë më të larta”, deklaroi Trump.

Sipas tij, gjatë bisedës me Ursula von der Leyen u diskutua edhe çështja e Iranit dhe programit bërthamor të Teheranit.

“Ramë dakord që Irani nuk mund të zotërojë kurrë armë bërthamore”, u shpreh Trump, duke shtuar se: “Një regjim që vret popullin e vet nuk mund të kontrollojë një bombë që mund të vrasë miliona njerëz”.

The post Trump ultimatum BE-së: Keni afat deri më 4 korrik për marrëveshjen tregtare me SHBA appeared first on Gazeta Express.

InfoShqip