E premte, 08 Maj 2026
Lajme

“Dikur prisnin jashtë derës…”, si ka ndryshuar roli i burrit në shtatzëninë e gruas? Flet gjinekologu Sebajdin Gjini

Image

Roli i burrit gjatë shtatzënisë dhe lindjes ka ndryshuar dukshëm ndër vite. Nëse dikur bashkëshorti priste jashtë maternitetit lajmin për ardhjen në jetë të foshnjës, sot ai është bërë pjesë aktive e gjithë procesit – nga kontrollet rutinore deri te momenti i lindjes.

Në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital, gjinekologu Sebajdin Gjini tha se qasja moderne ndaj shtatzënisë e sheh burrin si mbështetje të rëndësishme emocionale dhe psikologjike për gruan.

Sipas tij, tashmë në shumë raste bashkëshortët marrin pjesë në vizitat gjinekologjike dhe madje kanë të drejtë të jenë prezent edhe gjatë aktit të lindjes.

“Pjesëmarrja e tij është shumë e vlefshme në aspektin psikik dhe emocional të gruas. Jep mbështetje, jep kurajo dhe minimizon ankthin gjatë procesit të lindjes”, u shpreh Gjini.

Ai shtoi se një nga momentet më të rëndësishme është kontakti i parë mes prindit dhe foshnjës, i cili sipas tij reflektohet më vonë edhe në jetën familjare.

“Ka kaluar ajo kohë kur bashkëshorti e dërgonte gruan në maternitet dhe priste lajmin jashtë derës”, deklaroi gjinekologu.

Megjithatë, jo të gjithë burrat e përjetojnë lehtë këtë proces. Gjini tregoi se ka raste kur bashkëshortët alivanosen gjatë lindjes për shkak të stresit emocional dhe pamjeve që përjetojnë në sallë.

Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”:


– YouTube www.youtube.com

InfoShqip