Jadon Sancho është bërë sërish temë diskutimi në rrjetet sociale, pasi u përfshi në replika të tensionuara me tifozët e Manchester United lidhur me periudhën e tij në “Old Trafford”.
Sulmuesi anglez u aktivizua nga banka rezervë në fitoren bindëse 4-0 të Aston Villa ndaj Nottingham Forest në ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales së Ligës së Evropës.
Villa përmbysi humbjen 1-0 nga takimi i parë dhe siguroi finalen me rezultat të përgjithshëm 4-1, ku do të përballet me Freiburg në Stamboll më 20 maj.
Me këtë arritje, Sancho bëhet pjesë e një skuadre finaliste evropiane për të tretin sezon radhazi. Ai ishte pjesë e Borussia Dortmund në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2024 dhe e Chelsea në finalen e Ligës së Konferencës në vitin 2025.
Megjithatë, e ardhmja e tij mbetet ende e paqartë, pasi kartoni i lojtarit vazhdon t’i përkasë Manchester United. Huazimi te Aston Villa është i treti radhazi për 26-vjeçarin, i cili iu bashkua United nga Dortmund në vitin 2021.
Raportet mes Sanchos dhe tifozëve të United kanë qenë të tensionuara prej kohësh, sidomos pas konfliktit publik me ish-trajnerin Erik ten Hag dhe deklaratave të tij në mbështetje të Marcus Rashford pas largimit të këtij të fundit në formë huazimi.
Pas suksesit të Aston Villas, disa tifozë të United e kritikuan sërish në rrjetin social X, duke pretenduar se ai nuk ka pasur ndikim real në sukseset e skuadrave ku është huazuar.
Një tifoz kërkoi një “analizë të detajuar” të kontributit të tij në tri finalet evropiane, ndërsa Sancho iu përgjigj menjëherë:
“Po, sigurohu ta shikosh mirë”.
Një tjetër komentues përmendi paraqitjen e tij ndaj Nuno Mendes në përballjen kundër Paris Saint-Germain në vitin 2024, ndaj së cilës Sancho reagoi vetëm me një emoji.
Në një tjetër debat, pasi u quajt “lojtar pa mentalitet” dhe “futbollist që kulmoi në moshën 21-vjeçare”, anglezi ironizoi një përdorues duke pyetur:
“Po pyes vetëm, a quhesh vërtet Christiano?”
Në fund të mbrëmjes, Sancho publikoi edhe një mesazh për tifozët e Aston Villas.
“Pa shaka tani, dashuria dhe urrejtja sot janë për Aston Villan. Natën e mirë, Villans! Shihemi në Stamboll!”. /Telegrafi/
