E premte, 08 Maj 2026
Lajme

Infeksioni me Hantavirus, IKSHPK prezanton të dhënat ndër vite: Në Kosovë nuk është sëmundje e re

Image

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik është deklaruar sot lidhur me infeksionin me Hantavirus, pas raportimeve të fundit se janë shënuar disa raste të personave të infektuar në botë.

IKSHPK thekson se ipas të dhënave të ECDC (https://www.ecdc.europa.eu) deri më 6 maj 2026, janë raportuar shtatë raste me hantavirus në një anije kroçierë në Atlantikun Jugor, përfshirë tre viktima.

Një person ndodhet në gjendje kritike, ndërsa hetimet laboratorike vazhdojnë. Në disa mostra është konfirmuar virusi Andes (ANDV), i cili është endemik në Argjentinë.

IKSHPK thekson se sipas vlerësimit aktual të rrezikut, transmetimi nga njeriu te njeriu ndodh vetëm pas kontaktit të ngushtë dhe të zgjatur dhe nuk transmetohet lehtë. Autoritetet shëndetësore kanë zbatuar masa parandaluese në anije.

“Rreziku për popullatën e përgjithshme në BE/EEA nga ky shpërthim është shumë i ulët”, thuhet në reagim

Situata epidemiologjike me Hantavirus në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, informon qytetarët se ethet hemorragjike me sindromë veshkore (EHSV), të shkaktuara nga hantaviruset, nuk janë sëmundje e re në Kosovë. Numri i rasteve të raportuara ndër vite mbetet i ulët dhe i qëndrueshëm.

Gjatë periudhës 2021–2025 janë raportuar gjithsej tetë raste, sipas viteve: dy raste në vitin 2021, një rast në vitin 2022, me nga dy raste në vitin 2023 dhe 2024 dhe një rast në vitin 2025. Këto të dhëna tregojnë një prevalencë të ulët të sëmundjes në vend.

Çfarë është Hantavirusi?

Hantaviruset janë viruse që transmetohen nga brejtësit te njerëzit. Infeksioni ndodh kryesisht përmes thithjes së grimcave të kontaminuara nga urina, fekalet ose pështyma e brejtësve të infektuar. Në Evropë, sëmundja më së shpeshti paraqitet si ethe hemorragjike me sindromë veshkore (EHSV).

Periudha e inkubacionit zakonisht është rreth dy javë, por mund të zgjasë nga 7 ditë deri në 6 javë. Simptomat mund të jenë të lehta ose të rënda dhe përfshijnë temperaturë, lodhje, dhimbje muskujsh, probleme gastrointestinale dhe në raste të rënda dëmtim të veshkave ose probleme respiratore.

Mënyra e transmetimit

Brejtësit e infektuar lirojnë virusin përmes urinës, fekaleve dhe pështymës. Njerëzit infektohen kryesisht gjatë kontaktit me ambientet ose materialet e kontaminuara. Hantavirusët që qarkullojnë në Evropë nuk transmetohen nga personi në person dhe nuk barten nga insektet. Transmetimi ndërmjet njerëzve është dokumentuar vetëm për virusin Andes (ANDV) në disa zona të Amerikës Jugore.

Kush është më i rrezikuar?

Rrezik më të lartë ekspozimi kanë:

•punonjësit e pyjeve,

•fermerët,

•personat që punojnë ose qëndrojnë në ambiente ku ka prani të brejtësve.

Trajtimi dhe vaksina

Aktualisht nuk ekziston vaksinë e licencuar kundër hantavirusit në Evropë dhe nuk ka trajtim specifik antiviral. Kujdesi mbështetës dhe trajtimi simptomatik janë shumë të rëndësishme për menaxhimin e sëmundjes.

Masa parandaluese

Për të zvogëluar rrezikun e infektimit rekomandohet:

•shmangia e kontaktit me brejtësit dhe mbetjet e tyre;

•mirëmbajtja dhe pastrimi i rregullt i hapësirave të banimit dhe punës;

•ventilimi i ambienteve të mbyllura para pastrimit;

•përdorimi i maskës dhe dorezave gjatë pastrimit të vendeve ku mund të ketë brejtës. /Telegrafi/

InfoShqip