Është vetëdorëzuar para 3 orësh një nga të rinjtë që mori pjesë në sherrin e dhunshëm në Gjashtë të Sarandës, që përfundoi me vrasjen e 66-vjeçarit Rexhep Ismaili. Ai është Kostandin Vogli, 31 vjeç, banues në Shën Vasil të Himarës.
Vogli është transportuar drejt spitalit të Sarandës ku ka marrë ndihmën e parë, pasi rezultonte me një plagë me armë zjarri në këmbë. Gjatë qëndrimit në spitalin e Sarandës, Vogli është marrë në pyetje nga prokurorja e çështjes, ndërkohë që pritet të transferohet drejt Spitalit të Vlorës për mjekim më të specializuar, por edhe për çështje sigurie.
Kostandin Vogli dyshohet të jetë personi që kishte konflikt me 50-vjeçarin Tori Ruçi dhe për këtë mendohet se ka thirrur disa miq të tij pasi e kishte pikasur Ruçin në lokalin e 66-vjeçarit Rexhep Ismaili. Pikërisht aty ka shpërthyer konflikti fizik me sende të forta, që ka degjeneruar më pas në shkëmbim zjarri mes palëve.
Mendohet se Vogli është plagosur nga të shtënat me kallashnikov nga Rexhep Ismaili, çka detyroi më pas një prej të rinjve të hapte zjarr me pistoletë duke e vrarë atë.
Kostandin Vogli rezulton person me precedentë penalë për “drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, ndërkohë që në gusht 2023 ishte shpallur në kërkim për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” dhe “kultivim i bimëve narkotike”, por nuk dihet nëse ka kryer dënim për këto vepra./ abcnews.al
