Një studim i ri i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, i publikuar në revistën prestigjioze Nature Human Behaviour, po rikthen në qendër debatin më të madh historik për origjinën e shqiptarëve.
Për herë të parë, një ekip ndërkombëtar studiuesish analizoi mbi 6 mijë gjenome të lashta nga Euroazia Perëndimore dhe 74 individë etnikë shqiptarë bashkëkohorë, duke përdorur metodat më moderne të gjenetikës së popullatave. Rezultatet? Sipas studiuesve, shqiptarët e sotëm rrjedhin kryesisht nga banorët e Shqipërisë së Mesjetës së Hershme, të pranishëm në këto troje të paktën që në shekujt VIII-IX të erës sonë.
Në studion e ABC-së së mëngjesit, akademik Ilia Mikerezi, pjesë e grupit të studiuesve, zbulon detaje ekskluzive nga kërkimi që po konsiderohet si një nga studimet më të rëndësishme për historinë genetike të shqiptarëve.
Një nga zbulimet më të forta lidhet me individin e gjetur në Shtikë, në jug të Shqipërisë, që daton në shekujt IX-X. Sipas analizës, ky individ rezulton gjenetikisht më i afërt me shqiptarët e sotëm sesa me çdo popullsi tjetër të rajonit. Studiuesit e konsiderojnë këtë si dëshminë e parë genetike për ekzistencën e një bashkësie të hershme shqipfolëse në territorin shqiptar.
Studimi nxjerr në pah edhe përzierjet historike të popullsive të Ballkanit. Sipas të dhënave, shqiptarët mbartin mesatarisht 10–20% përbërje genetike nga grupe të ardhura nga Europa Lindore gjatë Mesjetës, ndërsa në lashtësi Ballkani ka qenë një mozaik kulturash ku ndërvepronin ilirët, dalmatët, dakët, dardanët, paionët, trakët dhe grekët.
Por pse origjina e shqiptarëve mbetet ende një nga misteret më të debatueshme të Europës? Pse burimet historike nuk përmendin qartë një popullsi shqipfolëse gjatë periudhës 500–1000 të erës sonë? Dhe a mund ta ndryshojë ADN-ja historinë që kemi njohur deri më sot?
Një tjetër pikë intriguese është fakti se shqipja, një degë më vete e familjes indo-europiane, dokumentohet shumë vonë. Dokumenti më i hershëm i njohur është Formula e Pagëzimit e vitit 1462, ndërsa teksti i parë i plotë në shqip daton në shekullin XVI. Megjithatë, sipas hipotezave gjuhësore, grupet shqipfolëse mund të kenë jetuar shumë më herët në zonat malore të Shqipërisë, Kosovës, Serbisë juglindore dhe Maqedonisë së Veriut.
