
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka bërë thirrje për reflektim të menjëhershëm pas ngjarjes tragjike të ndodhur ditën e djeshme në Durrës ku humbën jetën dy të miturit.
Balla u shpreh se ngjarje të tilla tregojnë qartë se nuk mjafton vetëm heqja e pikëve nga patenta, por kërkohet një qasje më e ashpër ligjore.
Ai theksoi se, në kuadër të rishikimit të Kodit Penal, duhet të merren në konsideratë modele ndërkombëtare, si koncepti i “vrasjes në kushtet e vetëbesimit të tepruar”.
Po ashtu, ai bëri një apel të drejtpërdrejtë ndaj Policia e Shtetit, duke kërkuar kontrolle të vazhdueshme ndaj personave problematikë në komunitete.
Balla: Kemi nevojë për të reflektuar të gjithë pa asnjë dallim Ngjarja e djeshme është një ngjarje që na kërkon ne këtu të fillojmë të kuptojmë se si zbatohen ligjet tona. Nëse ne si Kuvend do të mjaftohemi me heqjen e pikëve në patentë në një ngjarje të tillë, kjo është e rëndë për ne.
Në kushtet që jemi pranë rishikimit të Kodit Penal, SHBA ka vendosur konceptimin e vrasjes në kushtet e vetëbesimit të tepruar, kështu që përgjigjja jonë do të jetë e menjëhershme.
Kam edhe një thirrje për Policinë e Shtetit: këta “të fortët” e lagjes duhet të bëhen shembull, duhen kontrolluar mëngjes, drekë e darkë dhe nuk duhet të kenë fare patentë. Këta “të fortë” duhen bërë shembull nga Policia e Shtetit në çdo komunitet.
/vizionplus.tv
