Nga: Luke J. Lindberg, kandidat për drejtor ekzekutiv të Programit Botëror të Ushqimit të Kombeve të Bashkuara / Newsweek
Përkthimi: Telegrafi.com
“Ky është racioni ynë mujor,” më tha një baba i rrethuar nga familja e tij, ndërsa mbante lart një kovë mbushur në tri të katërtat me mel.
Ende i mbaj gjallë kujtimet nga kjo vizitë në kampin e refugjatëve Kakuma në Keni – veçanërisht nga reparti i fëmijëve të kequshqyer në spitalin e kampit – dhe nga mënyra se si pashë produkte që shpëtojnë jetë, si ushqimi terapeutik i gatshëm për përdorim (RUTF), produktet bujqësore dhe ndihma e bazuar në treg, të arrinin te familjet e zhvendosura nga dhuna në Bririn e Afrikës. Kohët e fundit, vizitova një qendër shpërndarjeje të Programit Botëror të Ushqimit pranë Gazës, vetëm disa javë pasi ishte nënshkruar një kornizë armëpushimi, ku shkalla, kompleksiteti dhe urgjenca e misionit ishin të pamohueshme. Gjatë këtyre udhëtimeve, kam parë gjithashtu gra dhe vajza të cilat shpesh hanë më pak dhe të fundit, që preken në mënyrë joproporcionale.
Përvojat si këto kanë formësuar kuptimin tim për atë që është në lojë: jo thjesht shpërndarja e ushqimit, por shpëtimi i jetës.
Sot uria po rritet, me pothuajse 320 milionë njerëz që përballen me pasiguri akute ushqimore. Konfliktet, moti dhe paqëndrueshmëria ekonomike po ushtrojnë presion të paparë mbi botën.
Në të njëjtën kohë, bota prodhon mjaftueshëm ushqim për të ushqyer çdo person në planet. Me njohurinë në majë të gishtave tanë, pritjet tona për transparencë dhe efektivitet po rriten. Kjo është sfida përpara: jo sfidë prodhimi, por e shpërndarjes, koordinimit dhe vullnetit kolektiv.
Programi Botëror i Ushqimit i Kombeve të Bashkuara është në qendër të kësaj përpjekjeje. Është e vetmja organizatë me imperativ humanitar, me shtrirje operacionale, kapacitet logjistik, partneritete të thella dhe besim të nevojshëm global për të ofruar ndihmë në mjediset më komplekse dhe më të rrezikshme. Puna e saj përfaqëson më të mirën e bashkëpunimit shumëpalësh – ku kombet bashkohen për t’u shërbyer atyre që kanë më shumë nevojë.
Në të gjitha vendet donatore, taksapaguesit me të drejtë presin që kontributet e tyre të përdoren me efikasitet, transparencë dhe ndikim të matshëm. Në komunitetet përfituese, familjet varen prej sistemeve që janë të përgjegjshme, të besueshme dhe të afta për t’i arritur ato, pavarësisht sa të largëta apo të pasigurta janë rrethanat e tyre.
Këto pritshmëri nuk janë në kundërshtim; ato janë të përputhura. Një sistem më efektiv dhe më i përgjegjshëm është ai që në fund i shërben më shumë njerëzve, më shpejt.
Por, për t’iu përgjigjur këtij momenti do të nevojitet menjëherë një udhëheqje e fortë dhe vendimtare – stafi, donatorët, përfituesit dhe vetë kauza e meritojnë këtë.
Në punën time në qeveri, financa globale dhe kujdes shumëkombësh shëndetësor, jam përqendruar në përmirësimin e ofrimit institucional të rezultateve në shkallë të gjerë, thjeshtimin e operacioneve, forcimin e përgjegjshmërisë dhe sigurimin që ndihma të arrijë tek ata që kanë më shumë nevojë për të. Si nënsekretar në Departamentin Amerikan të Bujqësisë, mobilizova një ekip punonjësish në gjithë Shtetet e Bashkuara dhe në 100 vende të botës për të thjeshtuar programet amerikane – Ushqim për Paqe [Food for Peace], Ushqim për Përparim [Food for Progress] dhe Programi “Mekgovern-Doll” për Ushqimin për Arsimin dhe Zhvillimin e Fëmijëve [McGovern-Dole Food for Education and Child Nutrition], me qëllim që ndihma humanitare të shpërndahej më shpejt dhe të ndërtohej qëndrueshmëria afatgjatë. Në gjashtë muajt e mi të parë në detyrë, udhëhoqa ekipin tonë për të shpërndarë 864 milionë dollarë në 40 vende. Për mua, qëllimi ishte i thjeshtë: më shumë efektivitet, më shumë transparencë dhe rezultate më të mira për njerëzit që mbështeten më shumë te ne.
Asnjë vend nuk mund ta përballojë këtë sfidë i vetëm, dhe as nuk duhet ta bëjë. Fillimisht Amerika [America First], në fakt, nuk ka nënkuptuar kurrë Vetëm Amerika [America Alone]. Që nga themelimi i tij, me udhëheqjen vendimtare të senatorit George McGovern, gjithashtu nga Dakota e Jugut, lufta e Programit Botëror të Ushqimit kundër urisë ka qenë përgjegjësi e përbashkët – një përgjegjësi që varet nga bashkëpunimi, koordinimi dhe angazhimi i vazhdueshëm në të gjithë sistemin ndërkombëtar.
Ndërsa Kombet e Bashkuara shqyrtojnë drejtorin e ardhshëm ekzekutiv të Programit Botëror të Ushqimit, besoj se ky është një moment për të pasur një udhëheqje që është njëkohësisht parimore dhe praktike. Një udhëheqje që mund të bashkojë shtetet anëtare. Një udhëheqje që mund të forcojë besimin dhe të japë rezultate në shkallë të gjerë. Dhe, një udhëheqje që mund të frymëzojë stafin aktual global dhe brezin e ardhshëm të humanitarëve.
Programi Botëror i Ushqimit meriton një udhëheqje që do t’i përgjigjet këtij momenti me urgjencë, besueshmëri dhe vendosmëri, dhe do të isha i nderuar dhe i përulur të shërbeja për njerëzimin në këtë detyrë fisnike.
Asnjë person, askund në botë, nuk duhet të shkojë në shtrat i uritur. Kjo nuk është thjesht një aspiratë; unë do të sigurohem që së bashku ta bëjmë realitet. /Telegrafi/
