E diel, 03 Maj 2026
Lajme

Barazimi pa gola mes Milanit dhe Juventusit kritikohet me të madhe në Itali

Francisco Conceicao Strahinja Pavlovic 1024x683 1

Barazimi 0-0 mes Milanit dhe Juventusit më 26 prill 2026 ka marrë kritika të forta në Itali për stilin tepër mbrojtës të të dyja skuadrave, që prodhoi një ndeshje pa spektakël në “San Siro”.

Takimi, që dikur konsiderohej një klasike e Serie A, zhgënjeu tifozët dhe mediat për mungesë ritmi dhe raste të pastra.

Megjithatë, rezultati u shërbeu të dy ekipeve, pasi i mbajti në distancë Comon dhe Romën në garën për kualifikim në Ligën e Kampionëve, me vetëm katër ndeshje të mbetura.

Rastet më të mira ishin të pakta: Khephren Thuram shënoi një gol që u anulua për pozicion jashtë loje për Juven, ndërsa Alexis Saelemaekers goditi traversën për Milanin në pjesën e dytë.

Ish-mbrojtësi i Serie A, Daniele Adani, tashmë një nga analistët më të njohur në Itali, kritikoi ashpër ndeshjen në emisionin “Domenica Sportiva”.

“Sipas meje, gjysma e Italisë është e kënaqur me ndeshje të tilla. Sa njerëz dëgjon që thonë se mbrojtja më e mirë është thjesht të mos pësosh gol? Por sa do të festojnë nesër me fraza si ‘Nuk lejuam asnjë goditje në portë’ apo ‘Objektivi është Champions’? Prej 10 vitesh them se, nëse duam të jemi në nivel me futbollin botëror, duhet të luajmë me intensitet, ritëm dhe synim sulmues. Por shpesh më quajnë filozof apo teoricien kur e them këtë. E vërteta është se jemi bërë për të qeshur. Nuk emocionojmë më. Kushdo që pa Milan–Juventus, e mbylli televizorin pas 15 minutash”, tha ai.

Edhe trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, nuk ishte i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij.

“Ne bëjmë mirë me topin, por humbasim në duele. Ndonjëherë krijojmë aksione të mira dhe pastaj bëjmë gabime të thjeshta në pasime të lehta. Duhet të ruajmë balancën në mënyrë të vazhdueshme. Sot, në asnjë rrethanë nuk mund ta humbnim këtë ndeshje. M’u duk se më shumë sesa të fitonin, të dy ekipet ishin të vendosur të mos humbnin”, tha trajneri italian./GazetaExpress/

The post Barazimi pa gola mes Milanit dhe Juventusit kritikohet me të madhe në Itali appeared first on Gazeta Express.

InfoShqip