E diel, 03 Maj 2026
Lajme

Barcelona e vendos në shitje edhe talentin që e transferuan në verë

Image

Barcelona pritet të ndajë rrugët me disa lojtarë gjatë kësaj vere, me synimin për të siguruar të ardhura që do t’i përdorë për afrime të reja.

Përveç emrave si Marc-Andre ter Stegen, Marc Casado dhe Ferran Torres, një tjetër lojtar që ka hyrë në listën e atyre që mund të largohen është edhe Roony Bardghji.

Sulmuesi anësor 20-vjeçar iu bashkua Barcelonës verën e kaluar nga FC Copenhagen për rreth 2.5 milionë euro, por sezoni i tij i parë në Kataloni ka qenë me luhatje. Ai ka regjistruar dy gola dhe katër asistime në 25 paraqitje në të gjitha garat, edhe pse pjesa më e madhe e minutave i ka marrë nga stoli – duke qenë se konkurrenca direkte e tij është Lamine Yamal.

Në muajin mars, Bardghji doli publikisht me pakënaqësinë e tij për minutazhin, çka e ka shtyrë klubin të marrë një vendim për verën. Sipas “Sport”, Barcelona aktualisht po i mban të gjitha opsionet të hapura sa i përket të ardhmes së tij.

Image

Klubi nuk e sheh situatën si emergjente para merkatos, dhe është i kënaqur me paraqitjet e tij. Por nëse Bardghji nuk pranon që herë pas here do të ketë rol dytësor, Barcelona është e gatshme ta lejojë të largohet – por vetëm me çmimin e duhur.

Ajo që bie në sy është se, sipas raportimit, Barcelona ka vendosur një çmim minimal prej 10 milionë eurosh për një shitje të mundshme. Nëse do të vinte një ofertë në këtë vlerë, drejtuesit do ta shqyrtonin seriozisht, megjithëse vendimi final do të varej edhe nga vetë lojtari.

Raporti shton se po rriten gjasat që Bardghji të largohet këtë verë, gjë që do të ishte goditje për Hansi Flick, duke pasur parasysh se suedezi ka treguar nivel të mirë në minutat e pakta që ka luajtur. Në rast largimi, Barcelona pritet të gjejë zëvendësues – me mundësinë më të madhe që ai të vijë nga La Masia./Telegrafi/

InfoShqip