E enjte, 07 Maj 2026
Lajme

Barcelona nuk do ta blejë, por një gjigant anglez e do transferimin e Marcus Rashford

Image

Barcelona nuk pritet të vazhdojë me blerjen e Marcus Rashford, duke hapur kështu mundësi që ai të ndryshojë ambient gjatë verës.

Sulmuesi anglez, i cili aktualisht është në huazim nga Manchester United, ka regjistruar 13 gola dhe 14 asiste në 46 ndeshje, por forma e tij është konsideruar e paqëndrueshme gjatë pjesës së dytë të sezonit. Kjo ka bërë që Barcelona të rishqyrtojë opsionin e blerjes prej rreth 30 milionë eurosh.

Sipas raportimeve nga The Sun dhe Daily Mail, Manchester United nuk po llogarit më në Rashford për sezonin e ardhshëm dhe është i hapur për ta shitur atë, pavarësisht kontratës së tij që zgjat deri në vitin 2028.

Image

Në këtë situatë, një tjetër klub i madh anglez është futur në garë dhe ata janë finalistët e Ligës së Kampionëve dhe me shumë gjasë kampionët e ri të Anglisë, Arsenal.

Skuadra londineze po e monitoron nga afër situatën e tij dhe po e konsideron Rashfordin si një opsion serioz për krahun e majtë të sulmit, ku aktualisht as Leandro Trossard dhe as Gabriel Martinelli nuk kanë bindur plotësisht si titullarë të padiskutueshëm.

Arsenali, i cili po ndërton skuadrën për të konkurruar në nivelin më të lartë evropian, shihet si një destinacion i mundshëm për Rashfordin nëse Barcelona nuk e aktivizon opsionin e blerjes.

Në këtë mënyrë, e ardhmja e sulmuesit anglez mbetet e hapur, me Ligën Premier që duket si skena më e mundshme për hapin e tij të radhës. /Telegrafi/

InfoShqip