Parlamenti Europian arriti një marrëveshje mes vendeve anëtare që të ndalojë çdo kompani të Inteligjencës Artificiale që të gjenerojë foto nudo në mënyrë digjitale për çdo person bazuar vetëm në fotot të fytyrës së tij, nëse më parë nuk ka dakordësi apo pëlqim nga personi që diçka e tillë të ndodhë.
Nisma vjen pas polemikave të mëdha të shkaktuara muajt e fundit nga një funksion i ri i Grok, asistentit të inteligjencës artificiale të kompanisë xAI të miliarderit Elon Musk, i cili u lejonte përdoruesve të krijonin imazhe të rreme nudo të të rriturve dhe fëmijëve duke përdorur baza nga fotografi reale, pa miratimin e personave që shfaqeshin në këto foto.
Çështja kishte shkaktuar reagime të forta në disa vende evropiane dhe kishte çuar në hapjen e një hetimi në BE. Vetëm pak ditë më parë, kryeministrja italiane Giorgia Meloni denoncoi publikisht fotografi të rreme të krijuara me inteligjencë artificiale në dëm të saj, duke i cilësuar këto deepfake si një “mjet të rrezikshëm”.
Sipas Parlamentit Evropian, ndalimi i ri do të prekë sistemet që mundësojnë krijimin e imazheve, videove ose audios me përmbajtje të ngjashme me pornografinë e fëmijëve, si edhe materialeve që paraqesin pjesë intime të një personi të identifikueshëm apo e shfaqin atë në akte seksuale pa pëlqimin e tij.
Rregullorja e re do të hyjë në fuqi më 2 dhjetor 2026. Deri atëherë, kompanitë që zhvillojnë sisteme të inteligjencës artificiale do të duhet të vendosin masa sigurie për të penguar krijimin e përmbajtjeve të tilla. Ky vendim është pjesë e rishikimit të ligjit evropian për inteligjencën artificiale, i njohur si AI Act, një nga kuadrot ligjore më të avancuara në botë për rregullimin e teknologjisë së Inteligjences Artificiale. Në të njëjtën kohë, shtetet anëtare dhe eurodeputetët ranë dakord edhe për shtyrjen e hyrjes në fuqi të rregullave të reja për sistemet e inteligjencës artificiale me “rrezik të lartë”, të cilat përdoren në fusha të ndjeshme si siguria, shëndetësia dhe të drejtat themelore.
Debati mbi rreziqet e inteligjencës artificiale është intensifikuar javët e fundit në Evropë edhe pas shqetësimeve të ngritura për modelin e ri “Mythos” të kompanisë amerikane Anthropic, për shkak të aftësive të tij të avancuara në fushën e sigurisë kibernetike.
