E shtunë, 02 Maj 2026
Lajme

Berlini reagoi pas njoftimit për tërheqjen e 5000 trupave amerikane nga Gjermania

Image

Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, ka deklaruar se vendimi i Shteteve të Bashkuara për të tërhequr një pjesë të trupave nga Evropa ishte i pritshëm dhe i parashikueshëm.

Sipas tij, evropianët duhet të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre, duke theksuar nevojën për forcim të kapaciteteve mbrojtëse në kontinent, shkruan skynews.

Pistorius bëri të ditur se Gjermania do të bashkëpunojë ngushtë me “Grupin e Pesëve”, ku bëjnë pjesë Mbretëria e Bashkuar, Franca, Italia dhe Polonia, në misionet e ardhshme të sigurisë dhe mbrojtjes.

“Ishte e parashikueshme që SHBA do të tërhiqte trupat nga Evropa, përfshirë Gjermaninë”, u shpreh ai.

Ndërkohë, Pentagoni ka njoftuar planet për të tërhequr rreth 5000 trupa amerikane nga territori gjerman.

Pavarësisht këtij zhvillimi, ministri gjerman theksoi se vendi i tij është “në rrugën e duhur” sa i përket forcimit të mbrojtjes, duke përmendur zgjerimin e Bundeswehrit, përshpejtimin e prokurimit të pajisjeve ushtarake dhe investimet në infrastrukturë.

Ndryshe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur të tërheqin rreth 5000 trupa ushtarake nga Gjermania gjatë vitit të ardhshëm, në kuadër të një rishikimi më të gjerë të pranisë së tyre ushtarake në Evropë.

Vendimi është konfirmuar nga Pentagoni dhe pritet të zbatohet brenda një periudhe prej 6 deri në 12 muajsh.

Gjermania ka qenë për dekada një shtyllë kyçe e pranisë ushtarake amerikane në Evropë, duke shërbyer si qendër logjistike dhe operacionale për misionet e NATO-s dhe operacionet amerikane në rajone të ndryshme të botës. /Telegrafi/

InfoShqip