E enjte, 07 Maj 2026
Lajme

Beteja Veliaj-Dado në administrative, Ndreca: Po bëhen përpjekje për ta minuar procesin

1778141848 Plarentndreca 709x400

Një ditë përpara se Gjykata Administrative të marrë në shqyrtim ligjshmërinë apo jo të emërimit të prokurorit Ols Dado në sistemin e drejtësisë, avokati Plarent Ndreca pretendon se ka përpjekje për të minuar procesin. Në një konferencë për mediat kushtuar pikërisht kësaj çështjeje, Ndreca mbron pikëpamjen se kjo përforcohet edhe më nga qëndrimi që përfaqësuesja e qeverisë së prokurorëve ka zgjedhur të mbajë.

“Publikisht janë artikuluar edhe pretendime për ndikim të paligjshëm dhe tentativa korruptimi me qëllim që kjo çështje të mos arrijë kurrë në shqyrtim në themel. Në vend që të kërkojë shqyrtimin në themel të çështjes dhe zbardhjen e së vërtetës juridike mbi vlefshmërinë e dekretit presidencial, përfaqësuesja e KLP-së është paraqitur në gjykim me të njëjtën strategji procedurale si vetë subjekti që është objekt i kontrollit, përmes goditjes së legjitimimit të paditësve”, tha avokati.

Ndreca iu përgjigj edhe pretendimit se vendimmarrja e presidentit të kohës, Bamir Topi, ka patur karakter formal dhe jo analitik. Sipas avokatit ka qenë në dorën e tij firmosja e dekretit që i jep dritën jeshile emërimit të Ols Dados në sistemin  e drejtësisë.

“Nëse nuk do kishte dalë dekreti i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, prokurori nuk ka atribute për të ushtruar funksione penale. Nuk do kishte marrë fuqi juridike asnjë funksion i prokurorit përkatës. Dekreti ka prodhuar pasoja juridike. Kjo është arsyeja pse ne godasim pikërisht dekretin”, tha Ndreca.

Mbrojtësi ligjor i Veliajt kërkoi edhe një herë transparencë të plotë të seancës gjyqësore, që zhvillohet në datën 8 maj në orën 14.00. Ndërkaq pas shortimit të trupës së re gjyqësore, togat e zeza kanë vendosur datën 26 maj për seancën e parë gjyqësore në Gjykatën e Posaçme. Shkak që dosja t’i nënshtrohej edhe një herë shortit elektronik shërbeu kërkesa për gjykim të shkurtuar nga një pjesë e të pandehurve.

InfoShqip