
Deklarata të forta nga Cafu, i cili e ka vendosur në qendër të vëmendjes Neymarin në prag të Kupës së Botës.
Legjenda braziliane e ka dhënë një vlerësim shumë të lartë për yllin e kombëtares, duke e bërë një krahasim të bujshëm me dy nga më të mëdhenjtë e historisë së futbollit, përcjell “Gazeta Express”.
“Nga ana teknike, Neymar është më i mirë se Messi dhe Ronaldo.”
Sipas Cafu, talenti i Neymarit nuk vihet në diskutim, por karriera e tij është ndikuar shumë nga dëmtimet, që nuk e kanë lejuar ta shfaqë plotësisht potencialin në momentet më të rëndësishme.
Ish-kapiteni i Brazilit ka shprehur gjithashtu besim për rolin e Neymarit në të ardhmen e kombëtares braziliane.
“Nëse është në formë, ai mund të jetë vendimtar për Brazilin.”
Në fakt, Neymar mbetet një nga figurat më të rëndësishme të Brazilit, madje edhe golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares me 79 gola, çka e tregon ndikimin e tij të madh ndër vite.
Megjithatë, diskutimet rreth tij vazhdojnë të jenë të forta: nga njëra anë talenti i jashtëzakonshëm, nga ana tjetër mungesa e vazhdimësisë për shkak të problemeve fizike.
Deklaratat e Cafu kanë hapur menjëherë debat në opinionin sportiv, sidomos për krahasimin me Lionel Messin dhe Cristiano Ronaldon, që konsiderohen gjerësisht si dy lojtarët më dominues të epokës moderne.
Në prag të Kupës së Botës, një gjë është e sigurt: nëse Neymar arrin të jetë në formë optimale, Brazili do të ketë një armë të fortë për ta synuar trofeun. /Gazeta Express
The post Cafu “e trondit” botën e futbollit: Neymar më i mirë se Messi dhe Ronaldo appeared first on Gazeta Express.
