
Ousmane Dembélé ka folur për mundësinë që ta fitojë sërish “Topin e Artë”, pas një sezoni të jashtëzakonshëm me Paris Saint-Germainin, ku klubi francez e siguroi titullin e Ligue 1 për sezonin 2025/26.
Sulmuesi francez ka qenë një nga lojtarët kyç të PSG-së gjatë sezonit, duke kontribuar me gola dhe asistime vendimtare në rrugëtimin e skuadrës drejt trofeut të kampionatit dhe suksesit në kompeticionet tjera, shkruan “Gazeta Express”.
Dembélé u shpreh se vëmendja e tij nuk është te çmimet individuale, por te sukseset e ekipit, duke theksuar se objektivi kryesor mbetet Champions League, ku PSG-ja është gjithashtu në finale të garës, me ç’rast do të përballet me Arsenalin.
“Më e rëndësishmja janë trofetë me skuadrën. Ne po përgatitemi për finalen e 30 majit”, është shprehur ai për “beIN Sports”, duke e treguar qartë fokusin e tij te suksesi kolektiv.
Dembélé, i cili tashmë konsiderohet ndër favoritët për “Topin e Artë” pas formës së tij të shkëlqyer, e theksoi gjithashtu rëndësinë e ruajtjes së përqendrimit në ndeshjet e mbetura të sezonit, sidomos në finalen e madhe evropiane.
“Unë jam mjaft i qetë, siç e thashë çmimet individuale vijnë më vonë, nëse vijnë. Nëse jo, kështu qoftë. Më të rëndësishmit janë trofetë ekiporë, në e fituam Ligue 1, Superkupën e Francës, Kupën Interkontinentale, ndërsa më 30 maj kemi diçka të madhe dhe speciale për tifozët e PSG-së”, vazhdoi ish-futbollisti i Borussia Dortmundit dhe i Barcelonës.
PSG vazhdon të dominojë futbollin francez, ndërsa Dembélé mbetet një nga figurat kryesore të projektit të Luis Enrique dhe një kandidat serioz për çmimet më të mëdha individuale në futbollin botëror. /Gazeta Express
The post Dembélé flet për mundësinë që ta fitojë prapë Topin e Artë dhe për finalen e Championsit appeared first on Gazeta Express.
