E mërkurë, 06 Maj 2026
Lajme

Dembele shënon në minutën e 3-të, francezët rrisin epërsinë dhe po i buzëqeshin finales

Image

Paris Saint-Germain e mbylli pjesën e parë me epërsi 0-1 në “Allianz Arena” ndaj Bayern Munich, duke e çuar rezultatin e përgjithshëm në 6-4 dhe duke u afruar ndjeshëm me finalen e Ligës së Kampionëve.

Goli që “qetësoi” ndeshjen erdhi shumë herët, në minutën e 3-të, kur Ousmane Dembélé reagoi më shpejt në zonë dhe e goditi topin me volej në rrjetë, pa i lënë asnjë shans Manuel Neuerit.

Bavarezët tentuan të reagojnë me disa raste, duke qenë më aktivë në fazën sulmuese me Michael Olise dhe Luis Diaz.

Olise provoi në minutën e 27-të me një goditje të harkuar nga skaji i zonës, por topi kaloi mbi traversë, ndërsa Diaz kishte një tjetër tentim nga distanca në minutën e 22-të, gjithashtu pak jashtë.

Image

PSG, megjithatë, ishte më i rrezikshëm kur dilte në sulm. Rasti më i mirë pas golit erdhi në minutën e 34-t, kur Joao Neves u ngrit lart dhe goditi me kokë drejt këndit të poshtëm, por Neuer bëri një pritje spektakolare duke e mbajtur Bayernin në lojë.

Pjesa e parë u shoqërua edhe me polemika dhe kartonë. Në minutën e 31-të, Bayerni kërkoi penallti për një prekje të dyshimtë me dorë të Joao Nevez në zonë, por gjyqtari i hodhi poshtë menjëherë pretendimet.

Jamal Musiala kishte tri goditje mes minutave 44 dhe 45, por në të tria rastet goditi jashtë portës.

Me rezultatin 0-1 në pushim dhe 6-4 në total, PSG ka një avantazh të madh dhe i duhet vetëm menaxhim i kujdesshëm në pjesën e dytë, ndërsa Bayern duhet të shënojë disa gola për ta rikthyer plotësisht garën. /Telegrafi/

InfoShqip