Gjykata e Posaçme dënon me 12 vite burg Luc Melajn për veprat penale “grup i strukturuar kriminal”, “ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, falsifikim dokumentesh, “dhënie ndihme për kalim kufiri” dhe armëmbajtje pa leje.
Në aplikim të gjykimit të shkurtuar, dënimi zbriti në 8 vite. Emanuel Melaj u dënua me 6 vite burg, që me gjykim të shkurtuar u ulën në 4 vite.
Ndërsa, Gëzim Camaj u dënua me 4 vite burg, dënim që u konvertua në 3 vite shërbim prove.
SPAK provoi se grupi që drejtohej nga Luc Melaj ka ndihmuar 25 shqiptarë të hyjnë në mënyrë të paligjshme në SHBA, përmes itinerarit Shqipëri- Spanjë-Meksikë-SHBA, duke përdorur dokumente të falsifikuara dhe pagesa prej 40-45 mijë dollarësh për person.
Personat që trafikuan ishin nga Malësia e Madhe, Shkodra, Lezha, Tropoja, me lidhje familjare me personat që jetojnë në SHBA. Luc Melaj e Gëzim Camaj mundësonin kalimin e qytetarëve gjatë hyrje dhe daljeve në Mal të Zi nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara kryesisht franceze.
