E diel, 03 Maj 2026
Lajme

Dita e Lirisë së Shtypit, Haxhiu: Informimi i saktë është shtyllë e demokracisë

Image

Haxhiu: Gazetaria me integritet është shërbim për qytetarët dhe demokracinë

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka vlerësuar rolin e gazetarëve dhe mediave në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, duke theksuar rëndësinë e raportimit të saktë dhe profesional në mbrojtje të demokracisë.

Në një reagim publik, Haxhiu ka shprehur mirënjohje për punonjësit e mediave që, sipas saj, punojnë me integritet në informimin e qytetarëve.

“Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, mirënjohje për të gjithë ata që punojnë me integritet për ta mbajtur të saktë dhe të ndershme hapësirën tonë publike”, ka thënë ajo.

Ajo ka theksuar se në kohën e informimit të shpejtë, dallimi mes faktit dhe interpretimit është bërë më i vështirë, duke e bërë edhe më të rëndësishëm rolin e mediave profesionale.

“Kur e vërteta cenohet, kur lajmi ngatërrohet me manipulim, kur gjysmë të vërtetat ia zënë vendin fakteve qytetari e humb orientimin dhe demokracia dobësohet”, ka deklaruar Haxhiu.

Sipas saj, hapësira publike ka nevojë për verifikim të fakteve, përgjegjësi dhe ndershmëri, elemente që forcojnë besimin e qytetarëve në media dhe institucione.

Në fund të reagimit, ajo ka falënderuar gazetarët dhe punonjësit e mediave për punën e tyre të përditshme.

“Gazetaria me integritet është shërbim për qytetarët dhe për Republikën”, ka theksuar Haxhiu.

InfoShqip