Eksperti i ekonomisë Enio Civici në një intervistë në “Sheshi i Dollarit”, në ABC News ka deklaruar se ndikimi i krizës globale dhe konflikteve ndërkombëtare në ekonominë shqiptare do të varet kryesisht nga kohëzgjatja e tyre, ndërsa theksoi se aktualisht inflacioni në vend mbetet pranë objektivit të Banka e Shqipërisë.
Civici tha se shpreson që inflacioni të mbetet pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë, por paralajmëroi se situata mund të ndryshojë nëse konflikti zgjatet.
“Ne inflacionin e importuar nuk po e ndjejmë ende. Nga një anë është forcimi i lekut, por është edhe fakti se nuk jemi të integruar sa ta përjetojmë këtë krizë, por një gjë tjetër është edhe energjia e rinovueshme sepse është një detaj që na ndihmon. Unë uroj që inflacioni të mbetet te objektivi i bankës së Shqipërisë, por gjithsesi mbetet një tregues. Sepse çështja është se a do ketë nevojë për një paketë ndërhyrëse, nëse inflacioni është 2.8, çfarë pakete ndihme do kemi ne, kur inflacioni është në terma të pranueshëm. Në tmerr kthehet në 4 e lartë. Uroj që edhe pasojat të mbeten kaq, por asgjë nuk është e ditur, sa kohë që edhe objektivat nuk janë të ditura se deri kur do vijojë kjo luftë. Duhet thënë se Kina për herë të parë po i ndjen disi pasojat…”, u shpreh ai.
Gjatë intervistës, eksperti i ekonomisë Enio Civivi theksoi se është shumë e rëndësishme që të riorientohen tregjet e energjisë.
“Varësia energjetike është rrezik. E gjithë dëshira për të mbrojtur mjedisin që është e lëvdueshme, por na u kthye në një problem serioz. Shqipëria duhet të flasë në këtë drejtim”. Një nga mënyrat për të përballuar një kosto janë panelet diellore. Po ashtu kemi parë edhe rritjen e përdorimit të makinave elektrike. Duhet thënë që BE-së i mungon një udhëheqje në këtë drejtim”, u shpreh ai.
/abcnews.al/
