Eksportet shqiptare vijojnë të shënojnë rritje, ndërsa ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se produktet “Made in Albania” po fitojnë gjithnjë e më shumë hapësirë në tregjet ndërkombëtare.
Në një intervistë për “Money Report” në ABC News, ekspertja e ekonomisë Teuta Nunaj u shpreh se Shqipëria tashmë po konsolidohet si vend eksportues, veçanërisht në sektorin e energjisë, ndërsa theksoi rëndësinë e përpunimit të produkteve brenda vendit për të rritur vlerën e tyre në treg.
Sipas Nunajt, ekonomia shqiptare ka nevojë për diversifikim të sektorëve dhe orientim drejt produkteve inovative, që i përgjigjen kërkesave të tregjeve të reja.
Ajo nënvizoi se zhvillimi i teknologjisë, inteligjencës artificiale dhe rritja e rolit të punonjësve të kualifikuar do të ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e produkteve shqiptare dhe në rritjen e çmimeve të shitjes. Ekspertja apeloi që bizneset të mos mbeten në një cikël të mbyllur, por të shfrytëzojnë alternativat dhe mundësitë që ofron tregu global.
“Shqipëria është vend eksportues i energjisë. Në një ekonomi tregu, tashmë pjesa e urbanizmit është vendosur në pikëpyetje, njëkohësisht ku vendet po i shtojnë më shumë vëmendje produkteve nga vendi. Duhet të mundohemi që këto produkte t’i përpunojmë në vend, në mënyrë që kur të eksportohet të arrijnë vlera më të larta.
Në këtë mënyrë, hapen vende të reja pune dhe rritet niveli i ekonomisë. Duhet të një diversifikim i sektorëve të ekonomisë. Me produktet që ne eksportojmë ne kemi tregjet ekzistuese. Me tregje të reja ne duhet që të rrisim nivelin e prodhimit. Në këtë rast duhet lidhur tregu me produktin. Ne nëse do duam një treg të ri ne duhet që të realizojmë produkte të reja, të veçanta dhe ato që kërkon tregu.
Sot kur po flasim, ku në 5 vitet e fundit ndryshimet janë drastik, inteligjenca artificiale dhe inovacioni. Theksi është vendosur gjithnjë tek realizimi i punëve, nga punonjës të kualifikuar dhe në këtë mënyrë rritet cilësia dhe rrjedhimisht do të ketë një shitje me çmim më të lartë. Është një rritje zinxhir. Kërkohet që bizneset të hapen dhe të mos realizojnë vetëm ciklin e mbyllur, të shfrytëzojnë edhe alternativat që ofron tregu”, u shpreh ekspertja.
