Poezi nga Charles Bukowski
Përktheu: Agron Shala
te qenia mesatare njerëzore ka boll tradhti, urrejtje, dhunë dhe marrëzi
për të furnizuar çdo ushtri në çdo ditë të lume
dhe më të zotët në vrasje janë ata që predikojnë kundër saj
dhe më të zotët në urrejtje janë ata që predikojnë dashurinë
dhe, në fund, më të zotët në luftë janë ata që predikojnë paqen
ata që predikojnë Zotin, kanë nevojë për Zotin
ata që predikojnë paqen nuk kanë paqe
ata që predikojnë paqen nuk kanë dashuri
ruaju prej predikuesve
ruaju prej atyre që mendojnë se dinë gjithçka
ruaju prej atyre që pa pra lexojnë libra
ruaju prej atyre që ose e urrejnë skamjen
ose janë krenarë për të
ruaju prej atyre që nguten të lavdërojnë
sepse kanë nevojë që lëvdata t’ju kthehet
ruaju prej atyre që nguten të censurojnë
sepse kanë frikë nga ajo që nuk dinë
ruaju prej atyre që vazhdimisht kërkojnë turma
sepse nuk janë asgjë kur janë vetëm
ruaju prej burrit mesatar, prej gruas mesatare
ruaju prej dashurisë së tyre
dashuria e tyre është mesatare, kërkon mesataren
por ka diçka gjeniale në urrejtjen e tyre
ka sa të duash gjenialitet në urrejtjen e tyre për të të vrarë
për të vrarë këdo
duke mos e dashur vetminë
duke mos e kuptuar vetminë
ata do të përpiqen të shkatërrojnë çdo gjë
që është ndryshe nga ajo që janë
duke mos qenë të aftë të krijojnë art
ata nuk do ta kuptojnë artin
dështimin e tyre si krijues do ta gjykojnë
vetëm si një dështim të botës
duke mos qenë në gjendje të duan plotësisht
ata do të besojnë se dashuria jote është e mangët
dhe pastaj do të të urrejnë
dhe urrejtja e tyre do të jetë e përsosur
si diamant i shndritshëm
si thikë
si mal
si tigër
si kukutë
arti i tyre më i mirë
