E shtunë, 16 Maj 2026
Lajme

Gjysmë ore ndjekje si në filma/ Durrës, 35-vjeçari i dehur me makinë nuk i bindet policisë për të ndaluar, ndërhyjnë “Shqiponjat”

Një ndjekje dramatike si në skenat e filmave aksion është regjistruar pasditen e kësaj të shtune, ku një 35-vjeçar në gjendje të dehur dhe me automjet pa targa sfidoi policinë për më shumë se 30 minuta.

Gjithçka nisi pasi Policia Rrugore i bëri shenjë të ndalonte, por i riu refuzoi urdhrin dhe u largua me shpejtësi të lartë, duke detyruar patrullat dhe forcat “Shqiponja” ta ndjekin për kilometra të tëra.

Gjatë arratisjes ai kreu manovra të rrezikshme, duke rrezikuar qytetarët dhe drejtuesit e tjerë në rrugë. Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të policisë për të ndaluar, 35-vjeçari nuk iu bind efektivëve.

Ndjekja përfundoi në afërsi të Shën Vlashit, ku policia, për të shmangur një rrezik më të madh, u detyrua të godiste automjetin e tij dhe ta neutralizonte.

Menjëherë pas ndalimit të mjetit, forcat “Shqiponja” bënë arrestimin e të riut. Burime nga policia thanë për se ai kishte kundërshtuar disa herë urdhrin për të hapur krahun, ndërsa ndaj tij pritet të ngrihen disa akuza.

InfoShqip