E enjte, 07 Maj 2026
Lajme

“Gruaja”: Fotografia më e mirë e Pieter Henketit

Pieter Henket

Në Meksikë, që ka një kulturë të fortë maçoizmi, maska e mundjes luça libre [lucha libre] është simbol i maskulinitetit …

Rrëfimi i fotografit Pieter Henket për gazetarin Simon Bainbridge / The Guardian
Përktheu: Telegrafi.com

E bëra këtë fotografi, të quajtur Gruaja [La Mujer], ditën e parë të një projekti të quajtur Zogjtë e Meksiko-Sitit [Birds of Mexico City]. Më kujtohet se mendova, në atë moment, se kjo ishte një nga ato fotografitë e rralla ku kupton menjëherë se po ndodh diçka e veçantë.

Lexo po ashtu:
Fotografia më e mirë e Chris Fallowsit: Një peshkaqen i bardhë i madh fluturues!
Rrëfimi për jetën dhe fotografinë më të mirë të Barbara Bosworthit
Piktori në hije: Fotografia më e mirë nga Derry Moore
Fotografia më e mirë e realizuar nga Richard Mosse: Autostrada e Amazonës nëpër ferr
Fotografia më e mirë e Adam Fergusonit: Emigrantja që rrezaton qetësi
Fotografia më e mirë e Jordi Barreras: Boshllëku i çuditshëm i qytetit që grumbullon pasuri!
Fotografia më e mirë e Mous Lamrabatit
Rrëfimi për jetën dhe fotografinë më të mirë të Dorothy Bohmit

Por, historia në fakt filloi më herët, me një projekt të quajtur Zogjtë e Nju-Jorkut [Birds of New York]. Gjatë administratës së parë Trump, njerëzit po flisnin aq keq për Nju-Jorkun, duke thënë: “Nuk është më interesant. Të rinjtë nuk po bëjnë asgjë.” E, megjithatë, ne vazhdonim të shihnim këta të rinj shumë të bukur. I thashë bashkëshortit tim Roger [Inniss]: “Këta fëmijë janë si zogj. Do të doja të kisha qenë po aq i lirë sa ata kur isha adoleshent i ri në Holandë. Ata nuk shqetësohen për atë që mendojnë të tjerët për ta.”

Kështu që i ftuam në studion tonë për t’i fotografuar dhe për t’i vlerësuar dhe për t’i thënë botës: “Shikoni, Nju-Jorku është gjallë.” Projekti pati sukses, por më pas erdhi Kovidi. Po mendoja ta vazhdoja projektin “zogjtë” dhe përfundimisht udhëtuam në Meksiko-Siti, një vend magjik. Meksikanët janë pafundësisht krijues. Ata i përdorin ngjyrat si askush tjetër dhe qyteti është plot me shtëpi të vjetra dhe pemë të mrekullueshme. Në rrugë ka shumë pasion dhe kulturë.

Rogeri kishte dëgjuar për Chino Castillan [stilist mode dhe dizajnues kostumesh në Meksiko-Siti]. E takova, ia shpjegova projektin dhe ai më pas mblodhi një grup miqsh dhe bashkëpunëtorësh të tij. U thashë: “Dua që ju të tregoni historitë tuaja dhe të përdorni elemente nga kultura juaj për të përfaqësuar veten përmes kostumeve.” E krijuam një studio të vogël.

Doja që Chino dhe ekipi i tij të ishin shumë të lirë, kështu që kostumet nuk ishin gjithmonë të planifikuara në detaje; pati shumë momente spontane. Ixchel Paz – Gruaja – rrinte ulur aty me maskën e mundjes luça libre dhe Chino po e mbështillte me flamuj dekorativë. Më kujtohet se thashë: “Mendoj se është tepër. Shikojeni si rri ulur vetëm me maskë.” Kështu, ai i hoqi gjithçka dhe unë i thashë: “Ixchel, dukesh shumë bukur. A do ta kishe problem nëse e bëj një fotografi pikërisht kështu?” Ajo dha pëlqimin dhe unë i thashë: “Do të më pëlqente nëse do të dukeshe shumë krenare.” Ajo u kthye anash dhe i gjithë trupi i saj mori këtë pozë shumë dinjitoze.

E dija se kishim diçka shumë të fortë mbi të cilën mund të punonim. Gjithmonë e ndiej këtë me projektet e mia: më duhet ajo dita e parë për të zbërthyer kodin. Ti e krijon një skenë për njerëzit dhe pastaj i lë të lirë. Me Ixchelen – ajo rrinte aty shumë e pambrojtur – ne kishim këtë ekip njerëzish të mrekullueshëm që rrezatonin energji drejt saj. Në Meksikë, maska luça libre është simbol i maskulinitetit; Ixchela po e përvetësonte, gjë që mendoj se i jep fuqi imazhit. Vendi ka një kulturë të fortë maçoizmi, por këta të rinj ecin rrugëve me gjithë krenarinë dhe lumturinë e tyre dhe nuk lejojnë askënd t’u dalë përpara.

Mendoj se sesioni fotografik duhet të ketë gjithmonë në qendër subjektin, jo fotografin. Është e frikshme të të bëjnë fotografi, të rrish aty dhe t’i besosh ekipit. E pyeta Ixchelan: “Si u ndjeve për këtë fotografi dhe gjithë sesionin?” Ajo tha: “Për mua, të pozosh para një objektivi ka qenë gjithmonë një formë revolucioni, sepse kur shfaq veten në një industri plot me bukuri stereotipash, kjo është mënyra ime për të thënë se diversiteti ekziston dhe se shpresoj që më shumë njerëz do ta shohin veten të përfaqësuar … Fotografia përfaqëson dinjitetin e trupave dhe të drejtën për t’u shfaqur pa frikë, së bashku me krenarinë për të qenë meksikane dhe latine.”

Ky projekt nuk ka të bëjë vetëm me të qenit kuir [queer], por me të rinjtë që janë të lirë. Por, ajo që shpresoj është që një i ri kuir ta shohë këtë diku në një librari dhe të mendojë: “Këta njerëz janë si unë”, ose “Edhe unë mund të jem kështu.”

I sheh ata – “zogjtë” – edhe në Londër dhe gjithnjë e më shumë në qytete të tjera. Dhe, sepse unë nuk isha adoleshent i tillë kur isha i ri, tani kur i shoh dua t’i çmoj.

U201cky Projekt Ka T U00eb B U00ebj U00eb Me T U00eb Rinjt U00eb Q U00eb Jan U00eb T U00eb Lir U00eb U201d U201cla Mujer U “Ky projekt ka të bëjë me të rinjtë që janë të lirë” … “La Mujer” [Gruaja] nga seria “Birds of Mexico” [Zogjtë e Meksiko-Sitit] nga Pieter HenketFoto: Pieter Henket

CV-ja e Pieter Henketit

Vendi dhe viti i lindjes: Geldrop, Holandë, 1979.

Kulmi i karrierës: Të qëndroja në Muzeun Metropolitan të Nju-Jorkut me babanë/tutorin tim, duke parë fotografinë time të ekspozuar dhe më vonë të mësoja se puna ime ishte përfshirë në koleksionin e Rijksmuseum-it në Amsterdam.

Këshillat kryesore: Bëje subjektin të ndihet i vërejtshëm. Sesioni fotografik është për ta, jo për ty. Mos i lër kurrë të të shohin të tensionuar. Qëndro kureshtar. Kur fillon, fotografo për veten dhe mos u shqetëso për të postuar gjithçka. Luaj me dritën dhe përpiqu të tregosh histori. Bëhu fotograf sepse e do, jo për t’u bërë i pasur. /Telegrafi/

InfoShqip