Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazi, ka njoftuar se komuna ka pranuar dy automjete pune në kuadër të projektit “A Smart System for Early Floods Detection and Waste”, i financuar nga Bashkimi Evropian përmes programit IPA III.
Sipas njoftimit të publikuar në Facebook, automjetet do të shërbejnë për forcimin e kapaciteteve komunale në menaxhimin e mjedisit dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.
“Komuna e Hanit të Elezit ka pranuar dy automjete pune, të cilat do të shërbejnë për forcimin e kapaciteteve tona në menaxhimin e mjedisit dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët”, thuhet në postimin e tij.
Kryetari bëri të ditur se automjeti i parë, një veturë pune Isuzu BTF, do të mbetet në shfrytëzim të komunës për nevojat dhe aktivitetet komunale në kuadër të projektit.
Ndërkaq, automjeti i dytë, një furgon Opel Movano, sipas tij, i është dhuruar Ndërmarrjes Publike Lokale “Pastrimi”, përmes një marrëveshjeje të nënshkruar sot me drejtorin ekzekutiv të ndërmarrjes, Hiriman Kuka, me qëllim rritjen e kapaciteteve operative dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.
Po ashtu, kryetari ka falënderuar Bashkimin Evropian për mbështetjen, duke theksuar se projekte të tilla kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit, menaxhimin më efikas të mbeturinave dhe zhvillimin e shërbimeve publike në Han të Elezit. /Telegrafi/
