Fatmir Haxholli, kryetar i Sindikatës në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka bërë thirrje që të përshpejtohet procesi i gradimit për zyrtarët e kësaj ministrie që i plotësojnë kriteret ligjore dhe kanë shprehur gatishmëri për shërbim në misionet diplomatike e konsullore të Kosovës.
Haxholli ka theksuar se Komisioni i Rotacionit i MPJD-së pritet ta ketë përmbyllur tashmë procesin e shqyrtimit të mbi 100 kandidaturave për angazhim në përfaqësitë jashtë vendit, ndërsa ka ftuar Komisionin e Përhershëm për Grada dhe Disiplinë që, sipas mandatit ligjor, të mundësojë “në afat rekord” gradimin e të gjithë zyrtarëve që i plotësojnë kushtet.
Po ashtu, ai ka kërkuar që të procedohet me ngritjen në grada edhe të zyrtarëve që, sipas tij, kanë kontribuar ndër vite në MPJD dhe në misione diplomatike, por kanë mbetur në pritje pa avancim profesional “meritor”.
Sipas Haxhollit, një veprim i tillë do të ishte jo vetëm përmbushje e obligimit ligjor dhe institucional, por edhe “akt i domosdoshëm legjitimiteti, drejtësie dhe motivimi” për trupën diplomatike.
Ai ka theksuar se në kohën kur, sipas tij, diplomacia e Kosovës po shënon zhvillime dhe suksese konkrete – duke përmendur zgjerimin e marrëdhënieve diplomatike, si rasti me Kolombinë, si dhe forcimin e pranisë konsullore përmes hapjes së Konsullatës në Teksas – forcimi i brendshëm i shërbimit të jashtëm përmes gradimit meritokratik bëhet “domosdoshmëri strategjike”.
Në fund, Haxholli ka thënë se pritshmëritë dhe sinjalet janë “shpresëdhënëse” se ky proces po ecën përpara me lidershipin e ri.
