E mërkurë, 06 Maj 2026
Lajme

Hayden Panettiere pranon publikisht se është biseksuale

Image

Aktorja amerikane Hayden Panettiere ka zbuluar se është biseksuale, duke thënë se për herë të parë po e shpreh hapur këtë gjë para publikut.

Sipas Index.hr, Panettiere e bëri deklaratën në një intervistë për Us Weekly (e raportuar edhe nga Page Six), në prag të publikimit të autobiografisë së saj “This Is Me: A Reckoning”, e cila pritet të dalë më 19 maj.

“Tani që kam vendosur ta ndaj këtë me botën, ndihem mjaftueshëm rehat dhe mund ta them me siguri: po, unë jam biseksuale. Ja, e thashë! Kjo është hera e parë që e them me zë”, u shpreh ajo, duke bërë shaka se është “më mirë vonë se kurrë”.

Panettiere tregoi se për një kohë të gjatë e kishte të vështirë ta artikulonte publikisht këtë pjesë të identitetit të saj, sepse kishte frikë se do të dukej sikur po ndiqte një “trend”. Ajo shpjegoi se kur në një periudhë të caktuar pranimi publik i seksualitetit u trajtua si diçka “në modë”, u shqetësua se sinqeriteti i saj do të keqinterpretohej.

Aktorja tha se e ka “eksploruar” këtë anë të vetes, por duke qenë se nuk e kishte ndarë me askënd, e kishte të vështirë të dorëzohej emocionalisht plotësisht. Sipas saj, nëse do të binte në dashuri, nuk do të donte kurrë ta fshihte. Ajo shtoi se që në fëmijëri ka ndier se gratë e tërhiqnin më shumë sesa burrat.

Në intervistë, Panettiere foli edhe për periudha të vështira personale, duke prekur tema si varësitë, dhimbja pas humbjes së vëllait të saj Jansen Panettiere, si dhe përvojat me marrëdhënie të dhunshme. Ajo e përshkroi largimin nga një person i dhunshëm si një proces shumë të vështirë, duke e krahasuar me përpjekjen për të shkulur një bar të keq që ka lëshuar rrënjë të thella: sa herë mendon se e ke hequr, shfaqet sërish dhe “gjen mënyrë të kthehet”.

Hayden Panettiere është e njohur për rolet e saj në serialet “Heroes” dhe “Nashville”, ndërsa gjatë viteve ka qenë e pranishme në vëmendjen e medias edhe për jetën e saj private. /Telegrafi/

Image Foto: Profimedia/EPA

InfoShqip