
56 studentë të Akademisë së Sigurisë janë helmuar pas konsumimit të ushqimit të servirur brenda ambienteve të akademisë. Menjëherë pas drekës, studentët kanë shfaqur shqetësime shëndetësore dhe janë transportuar me urgjencë drejt spitalit.
Rasti ka rikthyer në vëmendje problematikat me standardet e ushqimit në institucionet që shërbejnë në masë, si akademitë, spitalet apo burgjet.
Ekspertja e sigurisë ushqimore, Esmeralda Ballesha, në një lidhje të drejtëpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtarë Vizion Plus me moderator Roland Zilin, tha se kompanitë që operojnë në këtë sektor kanë detyrim të lartë kontrolli dhe monitorimi nga institucionet përkatëse.
Sipas saj, rreziqet më të shpeshta lidhen me mungesën e higjienës, trajtimin e ushqimeve dhe mosrespektimin e temperaturave gjatë transportit, ndërsa theksoi se çdo gabim në këto hallka mund të ketë pasoja serioze për shëndetin publik.
Ballesha shtoi se përgjegjësia ligjore në raste të tilla bie mbi kompanitë private, të cilat mund të përballen edhe me pasoja penale në rastet më të rënda.
INTERVISTA E PLOTË:
Çfarë nuk ka funksionuar në mekanizmin e kontrollit që ndodhi ky helmim masiv i studentëve?
Esmeralda Ballesha: Kompanitë që prodhojnë produkte me origjinë shtazore kanë një risk shumë të lartë dhe duhet të jenë në kontroll të vazhdueshëm nga AKU. Vëmë re që s’kemi pasur raste të tjera, i fundit ka qenë në një çerdhe në Gramsh. Por ky sot është një rast ku diçka ka arritur të kuptohet, ndryshe nga një rast i mëparshëm në Gramsh ku nuk u gjet shkaku. Institucionet që merren me prodhim ushqimi në masë duhet të kenë kontrolle shumë të larta në vazhdimësi.
A ka protokolle që ndiqen për shërbimet katering në spitale, burgje apo akademi?
Esmeralda Ballesha: Absolutisht. Të gjithë operatorët janë të detyruar të implementojnë masat, që mundësojnë kontrollin nga lënda e parë deri në momentin e fundit. Një dobësi është trajnimi i stafit, pasi harrohet shpesh për shkak të volumit të punës. Problemet mund të vijnë nga kros-kontaminimi, si p.sh. prekja e një produkti të gatuar me një të pagatuar, ruajtja e temperaturave gjatë transportit ose mungesa e higjienës së punonjësve. Këto biznese ushqejnë volum të lartë njerëzish dhe shpesh grupe vulnerabël, ndaj një problem i vogël mund të jetë fatal.
Kush mban përgjegjësi në të tilla raste?
Esmeralda Ballesha: Ligjërisht përgjegjësinë e mban kompania, e cila ka detyrim ligjor dhe penal nëse ka raste vdekjeje. Operatorët janë vetë të interesuar të mos kenë probleme për të mbajtur tregun, por ndoshta duhet një kontroll pak më i lartë nga institucionet shtetërore, megjithëse kapacitetet e inspektorëve janë të ulëta.
/vizionplus.tv
