E premte, 08 Maj 2026
Lajme

Humbje e thellë për Starmer/ Lokalet, bien laburistët, rritet partia e Farage

Kryeministri britanik Keir Starmer premtoi të premten se do të vazhdojë të luftojë për të sjellë “ndryshimin” që ka premtuar për Britaninë, pasi Partia Laburiste pësoi humbje të mëdha në zgjedhjet lokale, humbje kjo e cila solli nje shtim te zerave per doreheqje te Starmer. Vetëm dy vite pas fitores së thellë në zgjedhjet parlamentare, qeveria laburiste u ndëshkua nga votuesit, duke humbur mbështetje edhe në disa prej bastioneve të saj tradicionale në veri dhe qendër të Anglisë.

Fituesi më i madh I ketyre zgjedhjeve lokale doli partia populiste Reform UK e udhëhequr nga Nigel Farage, e cila fitoi mbi 350 vende në këshillat lokale në Angli dhe po shfaqet si një forcë e re e rëndësishme politike në Britani.

Rezultatet e para tregojnë një fragmentim të madh të sistemit tradicional dypartiak britanik, me laburistët dhe konservatorët që po humbasin vota jo vetëm ndaj Reform UK, por edhe ndaj Partisë së Gjelbër dhe partive nacionaliste në Skoci dhe Uells. Pavarësisht humbjeve, aleatët e Starmerit shprehën mbështetje për të. Vetë kryeministri deklaroi se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen.

“Nuk do të largohem,” tha Starmer gjatë një vizite në Ealing, në perëndim të Londrës, ku laburistët arritën të ruanin kontrollin e këshillit lokal. Ai shtoi se qytetarët janë më të shqetësuar për ritmin e ndryshimeve sesa për lidershipin e tij.Megjithatë, humbjet për Partinë Laburiste konsiderohen të rënda. Në Tameside, në veri të Anglisë, partia humbi kontrollin e këshillit lokal për herë të parë pas gati 50 vitesh, ndërsa në Wigan humbi të gjitha 20 vendet që mbante ne te kaluaren, të cilat kaluan te Reform UK. Partia e Farage mori gjithashtu kontrollin e parë të një bashkie londineze, duke fituar shumicën e vendeve në Havering, në lindje të kryeqytetit britanik.

Analistët politikë thonë se këto zgjedhje përfaqësojnë një nga transformimet më të mëdha në politikën britanike në më shumë se një shekull. Sipas sondazhistit të njohur britanik John Curtice, rezultatet për laburistët janë “po aq të këqija sa pritej, ose edhe më keq”.

Disa deputetë laburistë kanë paralajmëruar se nëse partia vazhdon të humbasë terren në Skoci, Uells dhe Angli, Starmer mund të përballet me presion të ri për t’u larguar nga posti i kryeministrit. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Mbretërinë e Bashkuar janë parashikuar të mbahen në vitin 2029./abcnews.al

InfoShqip