E enjte, 07 Maj 2026
Lajme

I jepet lamtumira Servet Pëllumbit, mbahen homazhe në nder të ish-kreut të Kuvendit

Screenshot 17 1 654x400

Kanë nisur homazhet në nder të ish-kreut të Kuvendit, Servet Pëllumbi, i cili u nda nga jeta një ditë më parë.

Arkëmorti mbërriti në orën 09:00 në sheshin “Skënderbej” dhe më pas u vendos në Hollin e TOB.

Në orën 12:00 do të zhvillohen homazhet shtetërore, ndërsa në orën 12:30 është parashikuar ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit, e cila do të zhvillohet me protokoll shtetëror.

Më pas, në orën 13:00, kortezhi funeral do të niset nga Teatri i Operas dhe Baletit drejt varrezave të Sharrës, ku do të bëhet edhe varrimi i tij.

Në ceremoninë e sotme pritet të mbahen dy fjalime. I pari fjalim do të mbahet nga i biri i ish-kreut të Kuvendit, Arben Pëllumbi dhe një fjalë tjetër nga një prej miqve më të ngushtë të tij.

Kush ishte Servet Pëllumbi

I njohur si “profesori” në qarqet socialiste, ai ishte një nga figurat më të njohura të politikës dhe mendimit intelektual në Shqipërinë e tranzicionit.

Ai ishte një nga zërat që shpesh kërkonte reformim dhe reflektim brenda së majtës shqiptare.

Lindi në vitin 1936 në Korçë. Ai ndoqi studimet e larta në Universitetin e Shën Petersburgut, ku mori titullin Doktor i Shkencave në letërsi.

U formua si studiues i filozofisë dhe për shumë vite punoi në universitete dhe institucione shkencore. Gjatë periudhës së regjimit të Enver Hoxhës, ishte pjesë e strukturave akademike dhe ideologjike të kohës.

Pas viteve ’90, ai u zgjodh deputet në parlamentin e parë pluralist dhe mori pjesë në transformimin e PPSH në Partinë Socialiste të Shqipërisë.

Si nënkryetar i Partisë Socialiste në opozitë, ai udhëhoqi disa beteja, ndër to edhe kërkesa për lirimin e Fatos Nanos nga burgu.

Njihet si një ndër deputetët më jetëgjatë në radhët e socialistëve, ndërsa këtë angazhim në vitet 2002-2005 e përmbylli duke drejtuar Kuvendin e Shqipërisë.

Pas largimit të socialistëve dhe Fatos Nanos nga pushteti, ai u tërhoq gradualisht nga politika aktive dhe u angazhua në shkrime, analiza dhe reflektime mbi demokracinë dhe tranzicionin shqiptar.

Ai u dekorua me titullin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” nga ish-presidenti Alfred Moisiu.

InfoShqip