E mërkurë, 06 Maj 2026
Lajme

Imazhet e Giorgia Melonit të gjeneruara me AI bëhen virale, reagon kryeministrja italiane

Së fundmi Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka deklaruar se në internet po qarkullojnë imazhe të rreme të saj të krijuara me ndihmën e inteligjencës artificiale, duke paralajmëruar për rreziqet që këto përmbajtje paraqesin për publikun.

Në një reagim zyrtar, Meloni tha se disa foto të manipuluara, janë shpërndarë online dhe madje janë përdorur edhe për qëllime politike nga kundërshtarë të saj. Ajo publikoi një nga këto imazhe, duke e cilësuar përmbajtjen si të rreme dhe të papranueshme. Në foton që ajo postoi dukej e ulur në një shtrat me të brendshme.

“Duhet të pranoj se kushdo që i ka krijuar, në këtë rast më ka ‘përmirësuar’ mjaft,” u shpreh me ironi kryeministrja italiane, duke theksuar më pas seriozitetin e çështjes.

Sipas saj, fenomeni i “deepfake”-eve përbën një rrezik të madh, pasi mund të mashtrojë opinionin publik, të manipulojë informacionin dhe të dëmtojë persona të ndryshëm.

“Unë mund të mbrohem, por shumë të tjerë nuk munden,” shtoi ajo.

Meloni u bëri thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm ndaj përmbajtjeve që qarkullojnë në rrjet, duke theksuar rëndësinë e verifikimit të informacionit përpara se të besohet apo shpërndahet:

“Verifiko përpara se të besosh dhe mendo përpara se të ndash.”

Kryeministrja italiane kujtoi gjithashtu se më herët ka ngritur padi për shpifje ndaj një personi që dyshohet se ka krijuar dhe publikuar imazhe të rreme pornografike me fytyrën e saj, çështje e cila është ende në proces gjyqësor.

InfoShqip