E enjte, 07 Maj 2026
Lajme

Institucionet rrisin koordinimin për mbikëqyrje, shkëmbim informacioni dhe stabilitet financiar

Image

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga Zëvendësguvernatori z. Milot Cakaj dhe bashkëpunëtorë të BQK-së, priti në takim drejtorin e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), z. Mentor Hyseni, drejtorin e Njësisë për Inteligjencë Financiare të Kosovës (NJIF-K), z. Genc Rraci, si dhe U.D. Kryeinspektorin e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), Florent Kuçi.

Takimi u fokusua në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për zhvillimet në sektorin financiar, me theks të veçantë në ruajtjen e integritetit të sektorit financiar, pajtueshmërinë me legjislacionin në fuqi, me theks të aktivitetet që kërkojnë vëmendjen institucionale dhe promovimin e konkurrencës së drejtë në treg.

Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet aktuale në sektorin financiar dhe biznesor, avancimin e koordinimit ndërinstitucional, shkëmbimin e informacionit brenda kornizave ligjore, si dhe forcimin e bashkëpunimit në mbështetje të zbatimit efektiv të mandateve dhe përgjegjësive të secilit institucion. Në këtë kontekst, u vlerësua rëndësia e një qasjeje të koordinuar institucionale për adresimin e rreziqeve potenciale, forcimin e mbikëqyrjes dhe mbështetjen e stabilitetit financiar, sundimit të ligjit dhe funksionimit të rregullt të tregut.

Një pjesë e veçantë e diskutimit iu kushtua zbatimit të Ligjit për Kripto-Asetet dhe rregulloreve të BQK-së për licencimin, rregullimin dhe mbikëqyrjen e aktiviteteve të lidhura me kripto-asetet. Palët diskutuan veprimet institucionale lidhur me veprimtarinë e subjekteve financiare në këtë fushë, rëndësinë e pajtueshmërisë me kërkesat ligjore dhe rregullative, si dhe nevojën për sigurimin që vetëm aktivitetet e licencuara operojnë ashtu që të mos cenojnë integritetin financiar, mbrojtjen e konsumatorëve dhe konkurrencën e drejtë.

Drejtuesit e institucioneve vlerësuan se bashkëpunimi i ngushtë ndërinstitucional, në përputhje me mandatet e pavarura dhe kompetencat përkatëse ligjore, është thelbësor për zbatimin efektiv të legjislacionit, mbrojtjen e integritetit të sektorit financiar dhe forcimin e besimit në treg. Po ashtu, u ritheksua rëndësia e koordinimit të vazhdueshëm për mbikëqyrjen e aktiviteteve financiare dhe biznesore, si dhe për garantimin e një mjedisi të rregulluar, transparent dhe konkurrues.

Në takim u dakordua që institucionet të vazhdojnë komunikimin dhe bashkëpunimin profesional, përfshirë shkëmbimin e informacionit dhe koordinimin e veprimeve brenda kornizës ligjore, me qëllim të mbështetjes së stabilitetit financiar, integritetit të tregut dhe zbatimit të plotë të legjislacionit në fuqi në Republikën e Kosovës.

InfoShqip